Sipas të dhënave të publikuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, remitencat kanë shënuar rritje dyshifrore gjatë gjithë vitit 2020.
Përkeqësimi i krizës shëndetësore nga shkaku i pandemisë Covid-19, bëri që shumë shtete të vendosin e ri-vendosin masa kufizuese për të luftuar përhapjen e koronavirusit. Disa nga shtetet e Europës i mbyllën kufijtë e tyre dhe vendosën karantinë të detyrueshme, për qytetarët që vijnë nga lista e shteteve me rrezik të lartë të infektimit me virus. Kosova ishte në të shumtën e kohës në këto lista, shkruan albinfo.ch.
Nga ky shkak po edhe nga shkaku i masave që kishte vendosur Kosova, ndodhi që mërgimtarët të reduktojnë ndjeshëm vizitat e tyre në Kosovë gjatë vitit 2020. Megjithatë, edhe pse nuk erdhën në vendlindje si çdoherë, mërgimtarët nuk e lanë anash ndihmën financiare për familjarët e tyre në Kosovë.
Sipas të dhënave të publikuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, remitencat kanë shënuar rritje dyshifrore gjatë gjithë vitit 2020, duke shënuar kështu vlerën prej 283.1 milionë euro në tre mujorin e fundit të vitit 2020, shkruan albinfo.ch.
“Remitencat e pranuara në Kosovë, që paraqesin kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore, shënuan vlerën prej 283.1 milionë euro nё TM4 2020, një rritje vjetore prej 26.3 për qind. Rritja e remitencave ka qenë dyshifrore gjatë gjithë vitit 2020, me përjashtim të muajit mars dhe prill 2020 kur shënuan rënie”, shkruan në raportin e Vlerësimit Tremujor të Zhvillimeve Makroekonomike për Tremujorin e IV/2020, të publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës.
Rritje dyshifrore, përkundër pandemisë
Sa i përket metodës së transferimit, pjesa dërmuese e remitencave (61.5%) kanë ardhur prej agjencive për transfer të parave, të cilat shënuan rritje prej 54.4% në tremujorin e katërt të vitit 2020. Ndërsa remitencat përmes bankave shënuan rritje prej 29.1%. Ndërsa, ato që pësuan rënie për 13.6% ishin remitencat përmes ‘kanalit jo-formal’ siç i referohet BQK, e që nënkuptojnë paratë që mërgimtarët u japin familjarëve të tyre si ‘para në duar’, shkruan albinfo.ch.
Ndërkohë, shtetet nga të cilat vijnë këto remitenca janë ato ku numri i diasporës së Kosovës është më i lartë.
“Remitencat në Kosovë vijnë kryesisht nga Gjermania dhe Zvicra, vende këto nga të cilat u dёrguan 42.9 për qind, përkatësisht 20.0 për qind e të gjitha remitencave. Një pjesë e konsiderueshme e remitencave është marrë edhe nga SHBA (6.7 për qind e të gjitha remitencave)”, thuhet tutje në këtë raport.
Ndryshe në këtë raport, thuhet se në përgjithësi Kosova shënoi rënie të konsiderueshme të aktivitetit ekonomik, e kjo kryesisht si pasojë e rënies së vizitave të diasporës.
Por, si e shohin këtë njohësit e ekonomisë së Kosovës?
Ekonomisti Mustafë Kadrijaj, thotë se diaspora është burimi më i pastër i infuzionit ekonomik në Kosovë.
“Diaspora me remitencat e saj nuk ka ndalur së rrahuri impulsin e jetës ekonomike në Kosovë, dhe kjo është dëshmia më e mirë që çdo lëvizje nga diaspora ndikon drejtpërdrejtë në aktivitetin ekonomik në vend. Pra edhe tremujori i katërt i vitit të kaluar është treguesi më i mirë që Kosova si rezultat i një qeverisje të dobët kishte rënien ekonomike, por të njejtën kohë falë diasporës remitencat nuk kanë munguar”, thotë Mustafë Kadrijaj, në një intervistë për albinfo.ch.
Remitencat duhen riorientuar në zhvillim ekonomik
Megjithatë, Kadrijaj thotë se këto remitenca duhen riorientuar, sepse kështu nuk po kanë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillim ekonomik për faktin se ato vlera monetare janë të orientuara në shportën e konsumit dhe rekreacionit, apo eventualisht ndonjë investim në prona të paluajtshme si shtëpi dhe banesa.
“Pa amnistuar asnjë qeveri të deri tanishme, vlerësoj se qeveria aktuale e ka obligim ekskluziv që t’i kthejë vendin e merituar diasporës, duke lehtësuar shërbimet ndaj kësaj vlere kombëtare dhe njëherësh këtë fuqi monetare ta kthejë në investime. Ato pastaj do të kenë efektin e dominos ekonomike duke ndikuar në prodhim, punësim, njëherësh fuqizim të arkës së shtetit përmes taksave dhe tatimeve dhe si rezultat do të kemi rritje të mirëqenies ekonomike në Kosovë. Me anë të investimeve të drejtpërdrejta njëherësh diaspora do të lidhet edhe më shumë me vendlindjen”, u shpreh ekonomisti Kadrijaj
68% thonë se kanë dërguar para në Kosovë gjatë pandemisë
Albinfo.ch ka pyetur diasporën se sa shpesh kanë dërguar mjete financiare në Kosovë dhe sa ka qenë vlera e tyre përafërsisht. Në sondazhin e publikuar në llogaritë e mediumit në rrjete sociale, pyetjes “A keni dërguar para në Kosovë që nga fillimi i pandemisë?” i janë përgjigjur 461 respondentë, ku 314 kanë thënë “Po” dhe 147 janë përgjigjur me “Jo”. Në përqindje i bie se 68% kanë pranuar se kanë dërguar para në Kosovë që nga fillimi i pandemisë, ndërsa 32% e tyre nuk kanë dërguar gjatë kësaj periudhe kohore. Ndërsa, mesatarja e mjeteve financiare që mërgimtarët kanë dërguar në Kosovë, gjatë kësaj periudhe kohore është 2 mijë CHF.
Artikulli është publikuar në magazinën e muajit prill 2021 të albinfo.ch. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.