Detaje të reja dalin në dritë në lidhje me zhdukjen misterioze të shefit të Antidrogës për Ulqinin dhe Tivarin në Malin e Zi, Rudolf Elezoviç. Ky i fundit humbi kontaktet me familjen e tij më 27 maj të këtij, në mes të kufirit të ujor të Shqipërisë me Malin e Zi në afërsi të Pentarit dhe Reçit në lumin Buna. Nga hetimet e deritanishme, ka dyshime Elezoviç mund të jetë gjallë.
Dy ditë më parë ministri i Brendshëm i Malit të Zi Sergej Sekuloviq tha në Parlament se Elezoviq mund të jetë ende gjallë dhe se ka disa gjurmë të caktuara, por nuk mund të flasë më shumë për shkak të hetimit.
“Jam njohur me rastin. Shpresoj se ky njeri është gjallë, dhe ne do të shohim diçka tjetër. Ka gjurmë të caktuara, por unë nuk mund t’i shpall ato tani”, tha ai.
Nisur nga kjo deklaratë por edhe nga hetimet e deritanishme të autoriteteve malazeze një prej pistave është se Elezoviq mund të jetë ende gjallë dhe se mund të jetë marrë peng nga grupe mafioze.
Sipas burimeve nga hetimet që po bëhen në Malin e Zi por tashmë edhe nga Prokuroria dhe policia e Shkodrës dyshohet se kjo ngjarje kriminale për shefin e Antidrogës në policinë kufitare të Ulqinit ka të bëjë me arrestimin e 24 personave në fillim të muajit shkurt të këtij viti, pjesë e një rrjeti trafikantësh të lëndëve narkotike, operacion në të cilin u sekuestruan 500 kg marijuanë.