Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë homaxhe pranë pllakës përkujtimore për ushtarët e rënë të NATO-s, ku shoqërohej nga presidentja Osmani dhe kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca.
Para gazetarëve Kurti tha se këtë ditë duhet t’ia kujtojë vetes secili qytetar i Kosovës, duke i nderuar ata që e dhanë jetën për liri.
“Në qershorin e vitit 1999, kishim zjarr në qiell dhe zjarr në tokë, por më 12 qershor, këmbësoria e NATO-s i bashkohet ndërhyrjes nga ajri kundër Jugosllavisë së Millosheviqit për ta ndaluar gjenocidin mbi popullin shqiptar. Siç e tha edhe presidentja e Republikës, më 12 qershor ne i kremtojmë paqen, çlirimin dhe lirinë dhe këtë ia përkujtojmë vetes çdo ditë, sepse të gjithë ato gra e burra që u sakrifikuan, dhanë jetën, ndodhen në themelet e institucioneve tona, të shtetit tonë, të pavarësisë sonë, të cilin duhet ta shpiejmë më tej me zhvillim, drejtësi dhe demokraci”,- tha Kurti.
Sot mbushen 22 vjet që nga përfundimi i sulmeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë, që shënon çlirimin e Kosovës. Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë zbarkuan trupat e para të këmbësorisë së NATO-s dhe njëkohësisht nisi largimi i forcave serbe.