Gent Sejko, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë prezantoi sot kartmonedhën e re që do të dalë për herë të parë në treg në Shqipëri. Kartëmonedha e re është 10 mijë lekë të reja, ndërsa bashkë me të, më 1 korrik 2021, do të rinovohet edhe kartmonedha 1000 lekëshe. Sejko tha se kjo kartmonedhë do të ketë simbolet kombëtare në njërën anë dhe portretin e poetit kombëtar, Asdreni (Aleksandër Stavre Drenova), në anën tjetër. Gjithashtu në të janë të shkruara edhe disa vargje nga himni ynë kombëtar. Një tjetër ndryshim në daljen e kartmonedhave të reja është edhe shiriti i sigurisë, i cili do të jetë në ngjyrë argjendi.
“Më 1 korrik, kartmonedhat e reja do të hidhen në treg. 10.000 lekëshi i ri dhe prerja e re e 1000 lekshit do të dalin në treg. Kartmonedha e re 10.000 lekë me elementë të përparuar sigurie.”,-tha Sejko.
Në më pak se dy vite, Banka e Shqipërisë emëton kartmonedha të reja. Fillimisht në treg doli prerja e re e 200 lekshit dhe 5000 lekshit. Nevoja për para cash, sipas BSH ka bërë që Banka të nxjerrë një kartmonedhë të re, siç është 10.000 lekëshi. Kartmonedha do të dalë në treg më datë 1 korrik 2021.