Një anije është fotografuar duke shkarkuar në det vaj të djegur për të shmangur kostot e asgjësimit që duhet të paguajë në port. Krimi është dokumentar nga foto ekskluzive të siguruara nga Report Tv dhe të shkrepura sot në orën 8:50 nga bordi i avionit të linjës që sapo ishte nisur nga Rinasi drejt Italisë se veriut.
Nga fotot duket shumë qartë një anije mallrash që duke lundruar me zig-zag shkarkon në det vajin e zi, duke lënë nga mbrapa një shirit të gjatë të zi. Ky krim ka ndodhur sot pak larg bregdetit shqiptar në një zonë të përzgjedhur me sa duket se është jo shumë e banuar. Vaji i djegur që prodhojnë anijet bashkë me ujin e miksuar me naftë që mblidhet në serbatorë të çdo anijeje, cilësohen si mbetje të rrezikshme dhe normalisht shkarkohen në portet nëpërmjet procedurave të veçanta.
Këto mbetje kanë kosto të asgjësimit shumë të larta. Ja pse ndodh që ndonjë kapiten kriminel për të shmangur tarifat portuale të asgjësimit, shkarkon mbetjet ne det.
Pas denoncimit në Report Tv, Prokuroria e Durrësit, nisi hetimet së pari duke sekuestruar në port dokumentacionet dhe në sajë të koordinatave, për të identifikuar dhe lokalizuar anijen për të ndëshkuar autorin e një krimi që ka shkaktuar një dëm shumë të madh jo vetëm nga pikëpamja mjedisore, por edhe për turizmin detar ne këtë fillim të sezonit veror.
Nga ana tjetër drejtori i Drejtorisë Detare Paulin Ndreu shtoi se do të verifikohet lënda që është derdhur, pasi mund të mos jetë ndotje vajore, por gazra që lëshon anija nga motori.
‘Jemi njohur me rastin dhe kemi filluar punë për identifikimin Po bëjmë kontrollimin e dokumentacionit të gjithë këtyre anijeve që kanë hyrë dhe kanë dalë në atë kohë kur është bërë fotografimi. Identifikimi nuk është i lehtë, por po komunikojmë edhe me qendrën Ndëroperacionale të Romës. Çdo ditë ato na vendosin në dispozicion pamjet satelitore, dhe do të shihen mjetet që hedhin mbetje ose mund të kenë tentativa për të ndotur ambientin. Në këto momente kemi vendos kontakte dhe po presim informacionin dhe pastaj do të dalim me konkluzione të sakta.
Pamjet do të na i japë Qendra Ndëroperacionale e Romës sepse do të na tregojë edhe vendin edhe anijen, ne jemi në një proces, nuk i kemi pamjet satelitore. Subjekti penalizohet rëndë shkon deri në bllokimin e anijes dhe me një gjobë të rëndë për atë që i kanë bregdetit. Masat janë të rrepta.
Mund të mos jetë ndotje vajore po gazra që lëshon anija. Pasi në det të hapur mund të përdorë mazut, mund të jenë edhe gazra të lëshuara nga motori, prandaj duhet ta identifikojmë.’- tha Ndreu.