Gjatë një operacioni për kapjen e personave në kërkim, RENEA mbrëmjen e djeshme në Shkodër ka qëlluar me armë zjarri duke lënë të plagosur 52-vjeçarin Ardjan Narkaj, i cili ishte dënuar me 21 vite burg për një vrasje të dyfishtë të ndodhur në 2008, por që kishte arritur t’i shpëtonte drejtësisë.
Dinamika, si ndodhi plagosja?
Pas informacionit mbi lëvizjet e Narkajt, RENEA zbarkoi në Shkodër duke organizuar operacionin për arrestimin e tij, por 52-vjeçari nuk iu bind urdhrit për të ndaluar, madje qëlloi kundër efektivëve me armë zjarri, të cilët u përgjigjën duke e lënë të plagosur.
Narkaj ka disa plagë në trup, ndërsa nga efektivët nuk ka asnjë informacion nga policia e shtetit nëse ka të lënduar.
Por sipas policisë, Ardian Narkaj nuk i është bindur urdhrit të policisë, por ka tentuar të largohet duke përfituar nga terreni i vështirë malor. “Forcat speciale RENEA kanë marrë masa për sigurinë e jetës së tyre, pasi kanë konstatuar se ishte i armatosur. Ata i kanë bërë disa herë thirrje për tu dorëzuar.
Ardian Narkaj nuk i është bindur urdhrit përsëritës të Policisë për t’u dorëzuar dhe ka tentuar të largohet. Forcat RENEA, për ta neutralizuar e kanë plagosur atë” deklaron policia e shtetit.
52-vjeçarit i është dhënë ndihma e parë nga RENEA dhe më pas është transportuar në Spitalin e Traumës, sipas tyre në gjendje të stabilizuar. Në cilësinë e provës materiale në vendngjarje është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pushkë me fishekë në fole gati për qitje.
Ardian Narkaj ishte në kërkim, i dënuar me 21 vite burgim për vrasje të dyfishtë dhe armëmbajtje pa leje. Ai është autori i një vrasjeje të dyfishtë të ndodhur në vitin 2008 në fshatin Bratosh, Malësi e Madhe. Gjykata e Apelit Shkodër, në vitin 2016, e ka dënuar me 21 vite burg për veprat penale “Vrasja rrethana cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit.