Numri i të diplomuarve me doktoraturë ka pësuar rënie vitet e fundit si rrjedhojë e bllokimit të studimeve në këtë cikël nga sektori publik.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se tre vitet e fundit, 2018-2020, numri i personave që morën diplomë në doktoraturë ka pësuar rënie të ndjeshme me gati tre herë në raport me vitet 2015- 2017 (shih grafikun).
Nga viti 2015 në vitin 2017 më shumë se 2060 persona morën diplomën e doktoraturës, ndërsa gjatë periudhës 2018-2020 e morën këtë diplomë vetëm 727 persona ose tre herë më pak se gjatë 2015-2017, periudha për të cilat ekzistojnë të dhënat zyrtare.
Numri i doktorantëve ra vitet e fundit për shkak se sektori publik vendosi që të mbyllë studimet në këtë cikël nga viti 2014-2020. Vetëm në 2020-n, u rihap sërish e drejta e studimit. Universitet publike i mbyllën studimet në këtë cikël si pasojë e fluksit të lartë të diplomave, ku si rrjedhojë u rritën së tepërmi edhe plagjiaturat (deri në nivelet e lartë të administratës publike).
Pas vitit 2011 dhënia e doktoraturave u liberalizua, pasi përveç universiteteve shtetërore kjo e drejtë i’u dha edhe privatit.
Në vitin 2019 INSTAT numëroi 346 doktorantë të papunë. Kjo kategori në të cilën përfshihen edhe personat me PHD zunë 0.2 për qind të totalit të të papunëve.
Të dhënat mbi papunësinë sipas nivelit arsimor janë një pasqyrë e qartë e mospërputhjes së sistemit arsimor në vend me tregun e punës. Diplomat e arsimit të lartë më së shumti janë për ekonomi, shkenca shoqërore dhe juridik, teksa nevojat për punë janë në bujqësi dhe turizëm.
Në të gjitha ciklet e studimet edhe doktoratura, dominojnë gratë të cilat zotërojnë dyfishin e diplomave.
Numri i të diplomuarve në arsimin e lartë në vitin akademik 2019-20 ishte afërsisht 33 mijë studentë ndër të cilët vajzat përbënin 65,3 %. Edhe për doktoraturat raportet gjinore janë të njëjta.
Peshën kryesore në diplomat e marra sipas fushave të studimit në arsimin e lartë, e zë ajo e shkencave të biznesit, administrimit dhe ligjit për të dyja gjinitë. Gratë preferojnë të studiojnë dhe diplomohen më shumë në biznes, administrim dhe ligj (28,4 %), shëndet dhe mirëqenie (16,3 %) dhe art dhe shkenca humane (13,0 %).
Ndërsa burrat preferojnë të studiojnë dhe diplomohen më shumë në biznes administrim dhe ligj (29,3 %), inxhinieri, prodhim dhe ndërtim (20,0 %), shëndet dhe mirëqenie (9,2 %).
Modeli ekonomik që Shqipëria ofron nuk kërkon fuqi punëtore më njohuri të larta dhe aftësi të spikatura, teksa precedentët se më shkollë të lartë përfundon kamerier ose ne call center, po shtyjnë të rinjtë gjithnjë e më shumë të reduktojnë përshkallëzimin e njohurive.