Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Garunjas të Lushnjës, ku një sherr për motive pronësie mes disa të afërmve ka përfunduar në mënyrë tragjike.
Një person ka humbur jetën dhe tre të tjerë janë plagosur pasi u qëlluan me armë gjahu nga kushërinjtë e tyre.
Viktima është 30-vjeçari Romeo Hasalla, ndërkohë që të plagosur kanë mbetur babai i tij Shuaip Hasalla 65 vjeç, dhe dy vëllezërit Emiljano Hasalla dhe Laert Hasalla, 31 vjeç.
Policia ka shpallur në kërkim dy autorët, vëllezërit Kastriot Hasalla dhe Afrim Hasalla.
“Sot rreth orës 06:30, në fshatin Garunjas, njësia administrative Bllagat, Lushnje, si pasojë e një konflikti për motive pronësie mes kushërinjve të parë, kanë mbetur të plagosur me armë gjahu shtetasit Sh. H., 65 vjeç,(babai) L. H dhe E. H, 31 vjeç(vëllezër) si edhe ka ndërruar jetë shtetasi R. H, 30 vjeç(vëllai tjetër).
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë dhe kanë shpallur në kërkim autorët e dyshuar, shtetasit A. H dhe K. H., 33 vjeç(vëllezër), ku vijon puna intensive për kapjen e tyre.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë të saj”, bën me dije policia.
Ndërkaq, policia bën me dije se në kërkim është shpallur shtetasi M.H., 20 vjeç, djali i Kastriot Hasallas.
Po ashtu është sekuestruar edhe arma e gjahut me të cilën dyshohet të jetë kryer krimi.