Xhevat Jakupi nga Departamenti i Mikrobiologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë, bëri të ditur se nga të dhënat e fundit rezulton se varianti Delta i coronavirusit është mbizotërues në Kosovë.
Jakupi në një konferencë për media së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia tha se të dhënat e fundit nga Departamenti i mikrobiologjisë tregojnë se 80 deri në 90 për qind të rasteve të fundit të coronavirusit janë të variantit Delta.
“Para tre katër muajsh, varianti Alfa ose ai britanik ishte në 98 për qind të rasteve, tani është vetëm 7-8 për qind të rasteve, ndërsa nuk gjen rast të variantit të Afrikës së Jugut ose Brazilian”, tha ai.
Sipas tij, tashmë ka ndryshuar situata, duke qenë mbizotërues varianti Delta në javët e fundit. Ai tha se ky variant i coronavirusit përhapet shumë më shpejt, e kjo sipas tij do të thotë që mund të preken më shumë njerëz, e rrjedhimisht të ketë më shumë hospitalizime.