Bashkimi Europian po mbështet fort modelin e ri të ekonomisë qarkulluese, që rikthen në produkte mbetjet, kundrejt modelit linear aktual ku konsumohen burimet, duke gjeneruar mbetje të cilat nuk përdoren dhe krijojnë ndotje. Zbatimi i këtij modeli në Shqipëri ka nisur në disa biznese, në sektorin e përpunimit të mbetjeve të kafshëve, bimëve mjekësore, ullirit, skrapit, automjeteve dhe mbetjeve të naftës. Profesor Fatmir Mema, i cili asiston zbatimin e këtij modeli në vend, pohon se, bizneset në përgjithësi dhe institucionet nuk kanë njohuri për ekonominë qarkulluese. Ai këshillon se nevojiten investime të mëdha në teknologji. Si u realizua ky model para viteve ‘90 dhe aplikimi i tij për të rritur fitimet aktualisht
Blerina Hoxha
Për të ruajtur konsumin e burimeve natyrore dhe njëkohësisht duke plotësuar kërkesën gjithnjë e në rritje për mallra cilësore, Bashkimi Europian po mbështet fort një model të ri prodhimi, atë të ekonomisë qarkulluese. Nëpërmjet këtij modeli, mbetjet nga prodhimi i një produkti rikthehen në një produkt të ri, duke krijuar një cikël qarkullues (rrethor) që eliminon në maksimum mbetjet.
Aktualisht shumica e prodhimit në të gjithë globin mbështetet në ciklin linear, ku proceset e prodhimit marrin lëndën e parë nga burimet natyrore, prodhojnë dhe shkatërrojnë, duke i kthyer në mbetje, shumica e të cilave nuk përdoren më. Ky model konsumon burimet dhe rrit stokun e mbetjeve, duke ndotur mjedisin.
Si pjesë e negociatave për anëtarësim në BE dhe pjesë e axhendës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillim të Qëndrueshëm, edhe Shqipëria duhet të përqafojë këtë model ekonomik. Mirëpo, deri më tani, bizneset që zbatojnë modelin e ekonomisë qarkulluese numërohen me gishtat e njërës dorë dhe janë nxitur më shumë nga nevoja për të rritur fitimet se sa për të përqafuar trendin më të ri.
Profesor Fatmir Mema, zv.dekan i Fakultetit të Ekonomisë, i cili po asiston aplikimin e ekonomisë qarkulluese në vend, tha se 80% e shoqatave të biznesit në Shqipëri nuk kanë asnjë njohuri. Qeveria dhe institucionet publike nuk janë aspak të angazhuara, pasi nuk kanë caktuar asnjë person që të koordinojë këto zhvillime. Për politika dhe incentiva fiskale që mbështesin modelin e së ardhmes, as që bëhet fjalë.
Por në Shqipëri, deri më tani, disa biznese e kanë të bazuar aktivitetin pikërisht tek ekonomia qarkulluese, prej së cilës kanë rritur fitimet, duke qenë tërësisht në respektim të normave mjedisore. Ato janë kompania INCA në Lezhë, e cila i ka kthyer mbetjet shtazore në lëndë të parë për industrinë e përpunimit të mishit; AlbKalustyan, që përpunon bimët mjekësore dhe mbetjet i kthen në esenca dhe sapuni i Roskovecit, i cili përdor bërsitë e ullirit në prodhimet veta.
Modeli është duke u zbatuar pjesërisht edhe nga disa biznese të tjera. Kompania e mbarështimit të shpendëve “Aiba”, po kthen në pleh organik jashtëqitjet e pulave nëpër disa procese të posaçme trajtimi. Ndërsa në zonën e Fierit, disa kompani në sektorin e naftës po aplikojnë modele të ekonomisë qarkulluese. Edhe Coca-Cola në Shqipëri, është një nga pionierët e aplikimit të modelit të ekonomisë qarkulluese në vendin tonë
INCA, kthimi i mbetjeve të kafshëve në produkt
Deri në vitin 2015, të brendshmet e kafshëve kryesisht zorrët në të gjithë vendin trajtoheshin si mbetje në landfille, ishin ndotësit kryesorë dhe burime infeksionesh në zonat urbane, sidomos në Tiranë. Shpesh ato hidheshin në kosha bashkë me mbeturina të tjera.
Kompania INCA, pjesë e AZ Group, e cila furnizon tregun e brendshëm dhe të jashtëm me pjesë natyrore për prodhimin e sallamit, filloi të grumbullojë mbetjet e thertoreve, duke ju dhënë atyre një vlerë ekonomike. Deri në vitin 2018, kompania trajtoi 15% të mbeturinave të thertoreve me lëndë të parë për industrinë e sallamit.
Koordinatori i përgjithshëm i AZ Group, Drini Zusi, tha se në harkun e tre viteve të fundit janë tre kompani që trajtojnë përpunimin e mbetjeve shtazore, ku produktet e tyre përfundimtare janë të destinuara për industri të ndryshme. Kompania e parë, INCA (Industry of Natural Casings Albania) përpunon nënprodukte shtazore të destinuara për konsum human, siç janë zorrët natyrale që përdoren si lëndë e parë për industrinë e sallamit.
Kompania e dytë, e krijuar në 2018, dikur Albafish, tani është ribranduar në “Cheer Chews” dhe përpunon disa nënprodukte shtazore specifike, të cilat nuk mund të përdoren për konsum human, por si ushqim për kafshët shtëpiake.
Kompania e tretë, AZ Rendering, është investim i përfunduar në 2020 dhe përpunon të gjithë nënproduktet e tjera, të cilave nuk mund t’u jepet destinacion për konsum human apo për kafshë shtëpiake. Përtej nënprodukteve nga industria e përpunimit të mishit, kompania përpunon dhe çdo lloj mbetje nga industria e përpunimit të peshkut apo shpendëve. Nga përpunimi i tyre në një cikël të mbyllur përftohen proteinë dhe yndyrë shtazore, të cilat gjejnë përdorim si ushqim për industrinë e mbarështimit, ose si biodiesel në industrinë e hidrokarbureve, tha Zusi. Dy nga kompanitë pjesë e INCA i nxjerrin 100% të të ardhurave nga përpunimi i mbetjeve.
Që nga tetori i vitit 2020, grupi ka zgjeruar veprimtarinë në tregun e Kosovës. Inca K “mbledh lëndë të parë nga rajoni i Kosovës dhe tregton produkte të gatshme”. Kompania u krijua si pjesë e planeve të Grupit AZ për të zgjeruar ndikimin në Rajonin e Ballkanit. AZ Group transformon afro 2000 tonë nënprodukte të kafshëve në vit, në procesin e të cilave është bërë një nga kompanitë me pozicionin me të mirë të ndikimit në mjediprej s. AZ është e vetmja kompani në Shqipëri që aplikon plotësisht modelin e biznesit me ekonomi qarkulluese. AZ Group bashkëpunon me më shumë se 60 kompani, 20 të cilave janë të huaja, thotë Zusi.
AlbKalustyan kthen mbetjet në esenca
Xhevit Hysenaj, i cili prej dekadash zotëron biznesin e grumbullimit, përpunimit dhe tregtimit të bimëve mjekësore, fillimisht me kompaninë Xhedra dhe tani AlbKalustyan, po aplikon modelin e ekonomisë qarkulluese në kompaninë e tij, pasi mbetjet i rikthen në produkt. Hysenaj thotë se fillimisht, kërcelli i bimëve, pas zhveshjes nga gjethet dhe lulet digjej, por tetë vitet e fundit, ato bëhen esenca.
Nëpërmjet një impianti që i zien ato me presionin e avullit, kërcelli i bimëve mjekësore prodhon esenca dhe vajra mjekësore dhe aromatike. Këto produkte nga mbetjet e bimëve eksportohen në vende të ndryshme të botës dhe sigurojnë 30% të të ardhurave të kompanisë.
Nga trajtimi i mbetjeve, prodhohet energji termike për nevojat e kompanisë, ndërsa hiri i tyre, pas një trajtimi tjetër, shndërrohet në pleh për bimët. Hysenaj tha se kompania e tij aplikon 100% modelin e ekonomisë qarkulluese, duke qenë tërësisht miqësore ndaj mjedisit. Ai tha se proceset e prodhimit për emetimin e karbonit sigurojnë 50% rezultate më të ulëta se normat e BE-së. Kompania zotëron edhe një impiant që lan tymrat, duke i kthyer në blozë. Esencat që prodhohen nga përpunimi i mbetjeve shiten që nga Europa, India deri në Australinë e largët.
“Ne jemi të përkushtuar në praktikat e biznesit të gjelbër, të qëndrueshëm dhe eko-miqësor dhe i përdorim të gjitha burimet e disponueshme në një mënyrë efikase dhe të shëndoshë për mjedisin” – pohoi Hysenaj. Ai tha se trajtimi i mbetjeve është kthyer në një burim të ardhurash për kompaninë.
Hysenaj, me kompaninë e tij Xherda para 6 vitesh, në bashkëpunim me kompaninë Kalustyan të SHBA, krijuan entitetin e ri AlbKalustyan që aktualisht eksporton bimë dhe erëza në të gjithë botën.
Sapuni i Roskovecit
Sapuni artizanal “Roskovec” prodhohet nga një grup zonjash nga Roskoveci, që janë mbështetur për prodhim artizanal sapuni nga vaji i ullirit, nëpërmjet Programit Rajonal për Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor – ReLOaD.
Projekti i titulluar “Sapun Organik i Roskovecit”, filloi në vitin 2018 dhe vazhdon të zbatohet. Profesor Fatmir Mema tha se ky projekt përdor mbetjet e vajit të ullirit nga fabrikat lokale të prodhimit ose nga ai vaj ulliri që nuk është për konsum, por mund të ripërdoret për të prodhuar sapun.
Punishtja ka punësuar 25 gra, të cilat jetojnë në Roskovec. Këto punonjëse, përveç përdorimit të mbetjeve të vajit të ullirit, paketojnë të gjithë sapunët organikë, në një mënyrë shumë efektive. Ato përdorin një përzierje letre të ricikluar duke i dhënë sapunit pamje artizanale. Aktualisht, qendra është në gjendje të prodhojë një ton në muaj. Aftësia e prodhimit varet nga kërkesa e tregut. Ky është vetëm fillimi i projektit dhe duhet të sigurohet qëndrueshmëria e këtij modeli biznesi.
Profesor Mema tha se Shqipëria ka traditë në prodhimin e sapunit dhe modeli i Roskovecit mund të zgjerohet më tej. Punishtja e parë e sapunit në Shqipëri është ngritur më 1897 në Shkodër, ndërsa në vitet 1918 e 1927 u ngritën edhe dy fabrika të vogla. Gjithsej, para Çlirimit të Shqipërisë, kishte 6 fabrika të vogla, si dhe 54 punishte artizanale sapuni, në Korçë, Tiranë, Durrës, Elbasan etj., me shkallë shumë të ulët mekanizimi. Në Shkodër, prodhohej sapun rrobash, sapun tualeti dhe parfume të ndryshme.
Menjëherë pas Çlirimit, nisi puna për përmirësime teknologjike të industrisë së sapunit. U ngritën fabrika e sapunit në Shkodër, duke përqendruar punishtet e mëparshme, si dhe në Elbasan e Rrogozhinë. Më 1971, në Vlorë, u ngrit një fabrikë më e madhe sapuni me teknologji të përparuar dhe e mekanizuar. Deri më 1975, kjo industri përdorte si lëndë të parë yndyrat asnjanëse me origjinë bimore e shtazore. Me ngritjen e fabrikës së përpunimit të thellë të yndyrave industriale në Fier, filloi të përdoreshin si lëndë e parë edhe acidet yndyrore.
Prodhimi i vezëve
Konkurrenca e madhe në tregun e prodhimit të vezëve po i shtyn disa kompani që të rrisin fitimet, duke zbatuar modelin e ekonomisë qarkulluese nëpërmjet gjenerimit të të ardhurave nga përpunimi i mbetjeve të pulave. Kompania AIBA, në zonën e Durrësit, prodhon 100 milionë kokrra vezë në vit. Mbetjet, rreth 40 tonë në ditë, me 80% lagështi, thahen në një linjë të posaçme, ku lagështia reduktohet 30-40%, duke prodhuar rreth 20 tonë pleh në ditë, të cilat ambalazhohen dhe shiten në thasë për fermerët në Lushnjë dhe në Divjakë.
Profesor Mema tha se, shndërrimi i mbeturinave në një produkt komercial, e ka kanalizuar kompaninë në një mënyrë të re të të bërit biznes. Për vitin 2017, AIBA kishte pjesën më të madhe të tregut me një qarkullim mbi 1 miliard lekë. Megjithatë, ritmi i prodhimit të vezëve ka qenë në rënie, për shkak të mbingarkesës në treg.
Riciklimi, si pjesë e ekonomisë qarkulluese
Ekonomia qarkulluese, në një pjesë të saj është edhe riciklim. Biznesi i riciklimit në vendin tonë nisi që në vitet 1990 dhe tashmë është një sektor i organizuar, ku operojnë rreth 60 biznese të cilat kanë investuar rreth 200 milionë euro dhe kanë punësuar rreth 3000 persona.
P.sh. kompania e Kurum, që është edhe një nga eksportuesit më të mëdhenj në vend, e ka të bazuar aktivitetin në riciklim, pasi nga mbetjet e skrapit që gjenerohen nga “varrezat” e makinave dhe mënyra të tjera prodhon hekur si lëndë të parë për sektorin e ndërtimit. Kurum, në vitin 2019, u rendit e 11-a në vend për nga xhiro vjetore, me të ardhura rreth 27 miliardë lekë. Ajo është ndër eksportuesit më të mëdhenj në Ballkan, me bazë riciklimin.
Një tjetër kompani GER.ARD. sh.p.k. e themeluar që në vitin 1999, së fundmi ofron shërbimet e çmontimit të automjeteve të përdorura, pjesë këmbimi për makina dhe gjithashtu, import dhe eksport. Kompania zotëron pajisjet e nevojshme dhe teknologjinë e fundit për të siguruar çmontimin e plotë të makinave të vjetra. Demontimi kryhet në ambientet e tyre.
IB Recycling është një kompani tjetër riciklimi, e cila ofron shërbimet e saj të riciklimit të pjesëve të automjeteve dhe pjesë të ndryshme katalitike të produkteve elektronike IB Recycling është përqendruar për të siguruar riciklimin e plotë të pjesëve të ndryshme të makinës për t’i kthyer ato në materiale prodhuese. Pajisjet kompjuterike dhe katalizatorët e shkarkimit të makinave, pjesë të ndryshme të makinave riciklohen me efikasitet në një nga strukturat më moderne në vend, për riciklimin e këtyre produkteve.
Pjesë e modelit të ekonomisë qarkulluese është grumbullimi i mbetjeve të ngurta dhe hidrokarbure në Portin Detar të Durrësit. Kompania “Pastrimi Detar” ka investuar gjithnjë e më shumë në teknologjinë më cilësore, e cila synon të shndërrojë sa më shumë që të jetë e mundur të gjitha mbeturinat që ndotin Portin e Durrësit.
Në vitin 2016, kompania investoi në një projekt të ri, i cili kishte për qëllim ndërtimin e një stacioni ku do të instalohet një linjë me rezervuare dhe depozita, të cilat do të përpunonin ujërat detarë të mbledhur nga anijet e ankoruara në Portin e Durrësit. Për këtë qëllim, investitori ndërtoi një objekt me sipërfaqe prej 4760 m², i vendosur në zonën e Porto Romanos në Durrës dhe investoi në teknologji të cilat ndajnë ujin nga mbetjet hidrokarbure, që më pas shiten si solar në treg.
Modelet sporadike, duhet mbështetje në teknologji
Profesor Fatmir Mema thotë se, pavarësisht rasteve pozite, kjo zhvendosje graduale nga ekonomia lineare në atë qarkulluese përballet me sfida të shumta. Së pari, rastet që zbatojnë këtë model janë kryesisht si rezultat i mbështetjes nga aktorë të jashtëm (partnerë biznesi në Europë ose Amerikë). Pavarësisht theksimit të rasteve të tilla sporadike, mungesa e organizimit të kompanive të ndryshme në sektorë të ndryshëm, e bën të vështirë garantimin e qëndrueshmërisë së ekonomisë qarkulluese në vend.
Së dyti, orientimi drejt një ekonomie qarkulluese kërkon ndërhyrje në teknologji, ose një model biznesi tërësisht të ri. Ai tha se kjo do të duhet të paraprihet me investime të mëdha teknologjike, e cila sjell implikime të tjera financiare për kompanitë. Mungesa e kapaciteteve financiare pengon kompanitë që të kenë orientim drejt ekonomisë qarkulluese. Për të kapërcyer një pengesë të tillë, qeveria mund të krijojë instrumente financiare për të mbështetur bizneset në sektorë të caktuar.