Fundi i luftës 20-vjeçare në Afganistan u shënua mbrëmë në mesnatë, pasi ushtari i fundit amerikan la tokën afgane. Ashtu sikurse kishte paralajmëruar SHBA u tërhoq nga Afganistani, duke respektuar afatin e vendosur më 31 gusht.
Menjëherë pasi ushtarët amerikanë ikën, talebanët u futën në aeroportin e Kabulit, duke marrë nën kontroll edhe këtë të fundit, të vetmin që nuk e kishin.
Nabih Bulos, korrespondent i Los Angeles Times, ndoqi një ekip luftëtarësh talebanë teksa eksploruan atë që duket se ishte avion i lënë pas nga tërheqja e forcave amerikane.
“Ne jemi këtu me talebanët ndërsa ata hyjnë në atë që ishte vetëm pak minuta më parë ishte një pjesë e kontrolluar nga amerikanët e aeroportit ushtarak. Tani ata kanë marrë kontrollin,” thotë ai para kamerës.
#Taliban fighters enter a hangar in #Kabul Airport and examine #chinook helicopters after #US leaves #Afghanistan. pic.twitter.com/flJx0cLf0p
— Nabih (@nabihbulos) August 30, 2021
Video të tjera të postuara gjithashtu treguan luftëtarët talebanë që gjuanin me mitralozët e tyre në qiell në shenjë feste, brohorisnin dhe pozonin për fotografi, dhe eksploronin pjesën tjetër të aeroportit. Gjithashtu në Kabul nuk munguan edhe fishekzjarret.
Duke folur me gazetarët nga Aeroporti Ndërkombëtar Hamid Karzai, zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mujahid tha se fitorja e grupit të tij “u përket të gjithëve”.
“Ne nuk kemi asnjë dyshim se Emirati Islamik i Afganistanit është një komb i lirë dhe sovran”, tha ai, duke shtuar se amerikanët “nuk mund ta arrijnë qëllimin e tyre përmes operacioneve ushtarake”.
Ai gjithashtu premtoi se Afganistani do të ketë “marrëdhënie diplomatike pune” me Perëndimin, duke u zotuar se afganët “do të mbrojnë lirinë, pavarësinë dhe vlerat islame”.
Me largimin dje nga Kabulli të avionit të fundit ushtarak të SHBA-së me të evakuar, ka marrë fund lufta 20-vjeçare e SHBA.