Qeveria e Kosovës dhe MCC, agjensia amerikane “Sfidat e Mijëvjeçarit, nuk kanë arritur të bien dakord në një marrëveshje lidhur me projektin amerikan për gazin natyror.
Albin Kurti ka vënë disa kushte që nuk kanë mundur të realizohen lidhur me projektin kurse Ministrja e ekonomisë Artane Rizvanolliu shrpeh në një konferencë për mediat se ishin skeptikë për koston totale të këtij projekti dhe u duhej kohë të vendosnin lidhur me të.
“Në veçanti janë disa çështje, të cilat kërkojnë qartësim, siç janë financat, dhe ta dijmë se cila do të ishte kosto totale, kush do t’i financonte, kush do ta ndërtonte termocentralin, e që është thënë se do të ndërtohej me partneritet publiko-privat. Po ashtu do të duhej të merrnim kredi në shumë të mëdha për përfundimin e projektit, të cilat do t’i paguanin konsumatorët. Vendimet nuk do të merren pa e ditur se sa do të kushtojë dhe pa e ditur se sa do të jetë çmimi që do të paguajë konsumatori për energji”, tha Ministrja Rizvanolli.
Administrata Biden kishte futur edhe Kosovën në buxhetin e agjensisë federale MCC, ku ishte vendosur që Kosova të përfitonte 200 milionë dollarë të pakthyeshme për të ndërtuar gazsjellësin në drejtim të Maqedonisë Veriore dhe Greqisë, ku pastaj do të lidhej më rrjetin TAP (Trans-Adriatic Pipeline).