Merr fund misteri mbi zhdukjen në Shqipëri të biznesmenit italian Davide Pecorelli, e ndryshe nga çfarë dyshohej, ai është gjetur i gjallë në ishullin Elba në Toskana. Automjeti që ai kishte marrë me qira u gjet i djegur në Pukë në janar të këtij viti, brenda ishte edhe një trup i djegur, por nuk u konfirmua se i përkiste Pecorellit. Ndërkohë ky i fundit u gjet mbrëmjen e djeshme në ishullin Elba në Toskana të Italisë, në një gomone.
Ai ka dhënë deklarimet në polici, e më pas u la i lirë, por nuk dihen ende arsyet se përse ai inskenoi të gjithë ngjarjen. Mësohet se Pecorelli kishte ndryshuar edhe pamjen e jashtme, në mënyrë që të mos identifikohej në Itali. Paraprakisht dyshohet se ai krijoi këtë skemë për t’ju shmangur pagimit të siguracioneve.
Nga Shqipëria ai u largua në mënyrë ilegale nga Hani i Hotit për të shkuar më pas drejt Italisë, dhe në këtë skemë mashtrimi dyshohet se është ndihmuar edhe nga shqiptarë, kundrejt pagesës.
Pecorelli është shprehur i gatshëm të japë dëshminë e tij në prokurorinë e Perugia, për të sqaruar të gjitha detajet e ngjarjes. Ndërkohë në Shqipëri dhe Itali tashmë janë pushuar hetimet për vrasje dhe Pecorelli do të hetohet për “Mashtrim”.
Ndërkohë, mbetjet kockore të gjetur në automjetin e djegur rezultojnë se janë mbetje kockore të në njeri, dhe dyshohet se janë marrë në një varrë të vjetër në zonë. Mbetjet e gjetura kockore janë dërguar në Itali për t’u ekzaminuar.
Unë do ta përqafoj atë, pastaj do t’i tërheq veshët”, tha babai i Davides. Ai tregon për telefonatën me ish-gruan e Davides e cila i ka dhënë lajmin e mirë për të birin. “Unë po shpresoja për të, edhe pse kishte kaluar një kohë e gjatë: ajo menjëherë më tha se kishte folur me Daviden dhe se ai është mirë, tani mezi po pres ta shoh përsëri, kështu që ai do të më thotë çfarë ndodhi në ato anë”, është shprehur ai, raportojnë mediat italiane.