Prokuroi i Tiranës Dritan Gina, i akuzuar për gjobëvënie si dhe i skeduar nga SHISH për përfshirje në praktika korruptive, ka pasur të njëjtin fat si të bashkëshortes së tij, Rovena Gashi, e cila u shkarkua në korrik të 2018 si prokurore pasi bashkë me babanë e saj, pasi nuk justifikonin një pasuri me vlerë rreth 930 mijë USD.
Dritan Gina është shkarkuar sot pas 8 seancash nga KPK. Pas dy muajsh përpjekje për të shmangur përballjen me Vetingun me anë të raporteve mjekësore dhe kërkesa për përjashtim të anëtarëve të trupit gjykues, Dritan Gina mori sot vendimin përfundimtar nga Komisioni i Vetingut.
Seanca është zhvilluar me tensione pasi Gina ka refuzuar të kontrollohej nga Garda e Republikës dhe u përpoq të hynte në sallë me forcë, por nuk u lejua. Kështu që vendimi i KPK është marrë në mungesë.
Dritan Gina përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2003 dhe u emërua si prokuror në Prokurorinë e Lushnjes. Më pas, ai e ushtroi funksionin si prokuror në Prokurorinë e Durrësit, drejtues i komanduar i Prokurorisë së Elbasanit dhe prokuror në Tiranë. Në maj 2018, Dritan Gina dhe bashkëshortja e tij, Rovena Gashi u pezulluan nga detyra nga kryeprokurorja e kohës, Arta Marku, pasi Prokuroria e Durrësit nisi një procedim për fshehje të pasurisë.
Bashkëshortët Gashi dhe Gina e kontestuan në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Markut, por kërkesa e tyre nuk u mor parasysh. Ndërsa procedimi penal u mbyll pa rezultate, bashkëshortja e subjektit, Rovena Gashi u shkarkua nga vetingu për “deklarim të pamjaftueshëm” të pasurisë.
Duke vënë në balancë shpenzimet dhe të ardhurat, Komisioni i Vetingut kishte konstatuar se prokurori Dritan Gina nuk justifikonte rreth 100 mijë USD për vitet 2010-2015.
Komisioni konstatoi si pasuri problematike një apartament me sipërfaqe 121 m2 në Tiranë. Këtë pasuri, Dritan Gina ka deklaruar se ia ka dhuruar vjehrri në vitin 2004. Apartamenti kishte vlerë rreth 34 mijë euro. Por, nga hetimi ka rezultuar se kontrata me shoqërinë ndërtuese ishte nënshkruar nga Dritan Gina dhe bashkëshortja e tij, Rovena Gashi, duke paguar edhe detyrimin monetar. Sipas KPK-së, çifti nuk kishte burime të të ligjshme të ardhurash për të blerë këtë apartament.
Nga ana e tij, Dritan Gina këmbënguli se këtë pasuri ia kishte dhuruar vjehrri atij dhe bashkëshortes së tij Rovena Gashi. “Vjehrri ka deklaruar kalimin e të drejtës reale të pronës në emër të vajzës dhe emrin tim. Me ç’të drejtë është konkluduar se e kam paguar unë? Si ma faturoni mua?”, tha ia.
Në vitin 2011, prokurori Dritan Gina ka blerë një apartament në Durrës tek “Shkëmbi i Kavajës”, me sipërfaqe 105 m2, me vlerë 88 mijë USD. Nga ky çmim, Gina tha se shitësi i kishte ulur atij 35 mijë euro pasi e kishte shok. Megjithatë, KPK-ja konstatoi se Gina kishte mungesë të ardhurash të ligjshme në vlerën 19 mijë USD për të përballur blerjen e këtij apartamenti. Gina kundërshtoi këtë konkluzion, duke pohuar se ishte i vetmi nga radhët e prokurorëve që kishte deklaruar trajtimin preferencial në blerjen e kësaj pasurie. Gina akuzoi këshilltarët ligjorë dhe ekonomikë të KPK-së se kanë krijuar tymnajë rreth pasurisë së tij.
Komisioni i Vetingut konstatoi se Dritan Gina nuk kishte burime të ligjshme të ardhurash as për të justifikuar blerjen e një makine me vlerë 15 mijë euro në vitin 2016. Për këtë konstatim Gina tha se “Makina është blerë ne emër të subjektit Rovena Gashi dhe nga hetimi i Komisionit për atë subjekt nuk janë gjetur probleme. Ç’punë kam unë tani që më dalin probleme?”.
Shqiptarja.com ka publikuar më parë një raport të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, drejtuar Komisionit të Vetingut, në të cilin thuhej se Rovena Gashi, është një individ i mundshëm për t’u vënë nën presion nga strukturat kriminale, ndërsa bashkëshorti i saj prokuror, Dritan Gina është implikuar në veprimtari korruptive.
Ky raport prodhoi debate dhe tension dje në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, gjatë seancës dëgjimore. Ashtu si konkluzionet për pasurinë, Gina e konsideroi raportin prodhuar nga Shërbimi Informativ Shtetëror dhe DSIK si dashakeqës. Komisioni i Vetingut nuk ka mbajtur ende një qëndrim përfundimtar për raportin e DSIK. Seanca për Dritan Ginën do të vijojë në datën 25 shtator./ shqiptarja.com