Edevaldo Haxhiu, biznesmeni shqiptar që akuzohet se ndihmoi në arratisjen e CEO-s së kompanisë turke të kriptomonedhave, Faruk Fatih Ozer është vënë në pranga. Lajmi u raportua fillimisht nga mediat Turke, të cilat shkruanin se Haxhiu është prangosur në Tiranë, nga policia lokale dhe është marrë në pyetje. Haxhiu është shoqëruar nga krimi kibernetik në DPPSH dhe pritet që të arrestohet për lidhje me arratisjen e Ozer.
Vetë biznesmeni Haxhiu ka mohuar të ketë njohje me të arratisurin Faruk Ozer. Ai madje ka deklaruar se nuk e njihte fare Ozer dhe se nuk kishte pasur kurrë të bënte me të, por mediat turke kanë publikuar edhe foto kompromentuese.
Në imazhet e kapura nga kamerat e sigurisë së një hoteli shihet se si Haxhiu, i veshur me të zeza del nga një hotel bashkë me ‘BOSS’-in e shpallur në kërkim. Më herët është vënë në pranga edhe shqiptari Altjan Canaj, që dyshohej gjithashtu se ndihmoi në të njëjtën arratisje.
Boss-i i kriptomonedhave turke, dyshohet se ndodhet në Shqipëri, duke iu fshehur autoriteteve turke. Ai akuzohet se përmes kompanisë së tij, Thodex, mashtroi mijëra turq që kanë investuar paratë e tyre, rreth 2 miliardë dollarë në monedhat virtuale. Më pas, ai shpalli falimentin e kompanisë, bëri mbylljen e ndihmën e motrës së tij dhe u arratis drejt Shqipërisë. Më 20 prill ai ka mbërritur në Shqipëri përmes një bilete që bleu në Air Albania. Në Turqi, janë lëshuar në total 82 urdhër arresti, përfshirë atë për Ozer.
Njoftimi i Policisë:
Policia e Shtetit Finalizohet operacioni policor i koduar “Gjurma”. Vihet në pranga 1 shtetas, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mashtrimi kompjuterik”. Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Gjurma”. Pas një hetimi të nisur në vitin 2021, nga autoritetet ligjzbatuese turke dhe pas veprimeve hetimore të ndërmarra, duke vlerësuar maksimalisht situatën kriminale të krijuar, Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka regjistruar një procedim penal dhe ka kryer veprime të vazhdueshme dhe të thella në lidhje me verifikimin dhe ndjekjen penale të disa shtetasve, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mashtrimi kompjuterik”. Pas kryerjes së hetimeve, Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike, ka ndaluar shtetasin: E. H., 36 vjeç, banues në Tiranë. Situata kriminale e ndjekur nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, kishte të bënte me dyshime të arsyeshme se disa shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime me qëllim ngritjen e një skeme të mashtrimit nëpërmjet krijimit dhe shitjes së monedhave virtuale nëpërmjet platformave të krijuara për këtë qëllim, duke rezultuar në mashtrimin e një numri të madh shtetasish të huaj (deri më tani). Gjithashtu, nga informacionet e marra, vlera e mashtrimit që shtetasi turk F. O. ka kryer si autori kryesor i kësaj vepre është rreth 2 miliard dollarë. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ka dyshime të forta dhe të arsyeshme se shtetasi E. H. ka kryer veprime aktive, me qëllim që të ndihmonte shtetasin turk F. O., për t’iu shmangur organeve ligjzbatuese, duke e transportuar dhe e fshehur atë. Aktualisht po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal, evidentimin e personave të tjerë të implikuar në këtë skemë kriminale dhe vendosjen e tyre përpara drejtësisë. U kryen veprimet procedurale përkatëse dhe materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedurale, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mashtrimi kompjuterik”.