Me debate është shoqëruar seanca e sotme plenare, ku nga një anë kryetari i PD-së Lulzim Basha ka lëshuar një lumë me akuza në drejtim të qeverisë, atyre iu është kundërvënë kryeministri Edi Rama.
Gjatë fjalës së tij Rama tha se opozita atë çka mbjell në Kuvend, do të korrë te populli. Mes të tjerash ai i sugjeroi Bashës që mos të merret specifikisht me emra ministrash.
“Ça mbillni këtu ju? 4 vite shkoni dhe i korrni atje. Çdo pështymë që hidhni këtu dhe çdo tallje që i bëni këtu inteligjencës së këtij populli, e mbillni, shkoni korreni atje! Ky është thelbi. Do ju lutesha shumë që edhe një herë tjetër ne këtu jemi me shumë vullnet për të bërë debat, patjetër të zjarrtë sa të doni, por mos u merrni me persona. ‘Qepuni njërit, dhe kap tjetrin, dhe shaj e ul e ngri. Jo ti këtu dhe jo ti atje’. Sa më shumë merreni me persona, aq më pak do të merrni atje. Ju s’drejtoni dot veten tuaj jo të drejtoni Shqipërinë.”, tha Rama.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka nisur me ironi replikën e tij për kryeministrin Edi Rama. Basha kërkoi që gotën me ujë t’ja lënë të mbushur sepse i thahet fyti, ndërsa e cilësoi si “nona dhe baba e së keqes”.
“Kryeministrit lërjani gotën e ujit të mbushur që mos e ketë fytin e tharë. Dalka këtu për të përsëritur ato që thashë unë por të shtrembërua. Është nona e të keqes dhe baba e të keqes. Shikoni pak të dashur qytetarë se ku e vendos një debat që është për xhepat tuaja,” tha Basha.