Dy vite pas tërmetit të 26 nëntorit, ku për shumë familje në vend pasojat ishin tragjike, disa prej tyre do të kenë tashmë një arsye për të gëzuar. Më 25 nëntor do të nisë shpërndarja e pjesës së parë të shtëpive individuale dhe apartamenteve.
Kështu bëri me dije sot zv.kryeministri, Arben Ahmetaj, i cili tha se fillimisht do të bëhet shpërndarja e banesave për familjet në nevojë, të moshuarit e vetmuar dhe familjet e policëve të rënë në krye të detyrës, e më pas të tjerët do të marrin banesat me short publik.
Po ashtu ai bëri me dije se është marrë edhe vendimi për hapjen e rrugës së shpronësimit me këmbim më Bashkinë e Vorës, për përshpejtimin procesit të rindërtimit.
“Mbledhja e qeverisë. Kemi marrë vendim për hapjen e rrugës së shpronësimit me shkëmbim në Bashkinë e Vorës për përshpejtimin e procesit të rindërtimit. Një vendim i rëndësishëm për qytetarët në 11 bashkitë e dëmtuara nga tërmeti për mënyrën si do shpërndahen njësitë individuale dhe apartamentet duke filluar nga 25 nëntori i këtij viti, ku do shpërndahen pjesa e parë. Në vendim është përshkruar shpërndarja, pasi kalon lista prioritare, që nga familjet në nevojë, me ndihmë ekonomike, me pensionistë të vetmuar dhe më pas për qytetarët shpërndarja do bëhet me short publik transparent që do organizohet nga njësitë vendorë”, tha Ahmetaj.
Ahmetaj shtoi se janë 167 shkolla që po ndërtohen, ku 25 prej tyre kanë përfunduar tërësisht. I pyetur nga gazetari i Report Tv, Ermal Qori mbi situatën e shkollave në Sanxhak të Kurbinit, ku mësimi nuk ka filluar edhe pse ndërtimi ka përfunduar, për shkak se nuk ka drita dhe në Budullë të Krujës, ku mungojnë pajisjet shkollore, Ahmetaj tha se është diskutuar me OSHEE dhe se situata po ndiqte nga personat përgjegjës.
Puna për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti vijon ende në zonat e prekura, ku qeveria ka deklaruar se deri në shtator të vitit 2022 do të ketë përfunduar ndërtimi i të gjitha objekteve të planifikuara në Programin e Rindërtimit.