Në Maqedoninë e Veriut qytetarët votuan të dielën për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Gara po zhvillohet për kryetarë të 44 komunave nga 81 sa janë gjithsej. Interesimi i elektoratit për të votuar kësaj radhe ishte më i lartë se sa në raundin e parë.
Komisioni Shtetëror i Zgedhjeve bëri të ditur se deri në orën 18:30 në votime kanë dalë 48,88% e votuesve. Në raundin e dytë ishin 1.355,990 qytetarë të regjistruar me të drejtë vote.
Kutitë e votimi janë mbyllur në orën 7 të mbrëmjes përveçse në një numër të vogël qendrash ku për shkak të problemeve teknike me aparatet për gjurmët e gishtave ka pasur ndërpreje, procesi do të zgjasë për aq kohë sa është bërë vonesa.
Komisioni Shtetërort i Zgjedhjeve (KSHZ) bëri të ditur se procesi ishte i qetë.
Balotazhi i zgjedhjeve lokale që mbahet në pak më pak se gjysmën e komunave të Maqedonisë së Veriut duket të ketë shtuar interesimin e elektoratit që sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve deri në orët e pasdites është për rreth 5 përqëind më i lartë në nivel shtetëor në krahasim me raundin e parë.
Në këto zgjedhje për herë të parë po përdoret aparati për identifikimin biometrik të votuesve përmes gjurmëve të gishtave dhe sikurse në raundin e parë janë regjistruar vonesa në proces për shkak të mosfunksionimit në një numër qendrash votimi të këtyre mjeteve.
Zgjedhjet lokale në këtë vend prej vitesh janë politizuar dhe partitë politike i përdorin ato për të matur forcat dhe si barometër për zgjedhjet e përgjithshme.
Gara zhvillohet në 44 komuna dhe më e ashpër pritej të ishte në Shkup, në Tetovë, në Gostivar, në Kumanovë, në Strugë.
Në Tetovë garojnë Teuta Arifi e Bashkimit Demokratik për Integrim e cila kërkon mandatin e saj të tretë në krye të njërës prej komunave më të rëndësishme për shqiptarët dhe Bilall Kasami i Lëvizjes Besa. Zonja Arifi pati epërsi në raundin e parë ndaj zotit Kasami. Por, në këtë balotazh Aleanca e opozitës shqiptare ka njoftuar mbështetjen për Bilall Kasamin. Megjithatë, duket se për fitoren këtu do të vendosin votat e komunitetit maqedonas.
Në Gostivar garojnë kreu aktual i komunës Arben Taravari i Aleancës për Shqiptarët me ish-kryetarin e komunës, Nevzat Bejtën e BDI-së. Në Strugë gara zhvillohet në mes kryetarit aktual Ramiz Merko të BDI-së dhe Idri Istrefit të Aleancës për Shqiptarët, në Çair të Shkupit Visar Ganiu garon për mandatin e dytë dhe kundër-kandidat i tij është Bekim Sali i Alternativës. Në Kërçovë përballen Fatmir Dehari i BDI-së i cili ka bërë dy mandate në krye të kësaj komune dhe Aleksandar Jovanovski i VMRO-DPMNE-së. Zoti Dehari mund të fitojë me lehtësi nëse i merr votat e elektoratit shqiptar në këtë zonë ku megjithatë pati një lloj përplasjeje gjatë fushatës brenda përkrahësve dhe dy krahëve të BDI-së.
Në Dibër (të Madhe) përsëritet votimi në një qendër për shkak të parregullsive të konstatuara në raundin e parë dhe procesi mund të përfundojë sot me zgjedhjen e kryetarit të ri pa pasur nevojë për organizimin e balotazhit pas dy javësh. Në Dibër garojnë Hekuran Duka i BDI-së për një mandat të dytë dhe Bekim Pocesta i Aleancsë për Shqiptarët. Dalja e votuesve në Dibër ka qenë mjaft e lartë deri në orët e pasdites, sipas KSHZ-së.
Në Shkup garojnë Petre Shilegov i Lidhjes Social Demokrate në pushtet dhe Danella Arsovska e deklaruar si kandidte e pavarur por e mbështetur nga VMRO-DPMNE-ja e opozitës dhe opozita shqiptare, po ashtu. Ndërkohë që zoti Shilegov e ka mbështetjen edhe të Bashkimit Demokratik për Integrim.
Në Shkup votat e shqiptarëve janë vendimtare për atë se kush do ta drejtojë kryeqytetin në katër vitet e ardhëshme.
Votuesit kanë mendime të ndara lidhur me pritshmëritë rreth plotësimit të premtimeve nga poltikanët:
Procesi po vëzhgohet vetëm nga 23 vëzhgues të Misionit të ODIHR-it të cilët vijnë nga 13 shtete të ndryshme, si dhe disa dhjetra përfaqësues diplomatikë; Po ashtu edhe nga vëzgues të vendit.
Rezultatet e para priten nga shtabet e vetë partive dhe kandidatëve para mesnate, ndërsa KSHZ e ka për detyrë t’i shpallë rezultatet e para dymbëdhjetë orë pas mbylljes që qendrave të votimit.