Sikurse në çdo proces zgjedhor, edhe në zgjedhjet e sotme, ku po votohet për 21 komuna në balotazh, mërgimtarët ia mësynë Kosovës për të ardhur dhe shfrytëzuar të drejtën për të votuar.
Pavarësisht se çmimet e biletave të fluturimit nuk janë edhe aq të lira, megjithatë kjo nuk i ndali ata të kthehen në vendlindje për të votuar për të dytën herë brenda 2 muajve.
Disa qytetarë të intervistuar nga KTV në Aeroportin e Prishtinës, thanë se arsyeja kryesore pse kanë ardhur është për të votuar.
Ndërkohë që KQZ ka bërë të ditur se përmes postës ka pranuar mbi 1500 pako me fletëvotime nga diaspora.
Sidoqoftë, për zgjedhjet lokale është vërejtur një numër dukshëm më i ulët i mërgimtarëve krahasuar me fluksin e madh të tyre që erdhën për të votuar në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit.