“Samba Griega” është një video muzikore, rezultat i bashkëpunimit mes dy krijuesve shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në New York, fotografi/regjisori Ilir Rizaj dhe kinematografit Adriatik Bërdaku. Videoja është krijuar për Aggeliki, këngëtare greko-amerikane, e cila sjell një interpretim sensual dhe mbresëlënës. Rrjedha e videos e përcjell frymën e vargjeve të këngës që është e shkruar nga Lina Nikolakopoulou, poetesha/liricistja legjendare greke, kurse muzika është e kompozuar nga Daphne Alexandri. Versionin e tanishëm e ka kompozuar kitaristi dhe kompozitori i mirënjohur grek, Spiros Exaras.
Intervistë me kinematografin e talentuar Adriatik Bërdaku
Si ishte bashkëpunimi me fotografin dhe regjisorin e njohur Ilir Rizaj?
Adriatik Bërdaku: Me Ilirin u njohëm disa vite më përpara dhe mbajtëm lidhjet. Duke biseduar një ditë me tha që ka një projekt të bukur me një këngëtare greke dhe nëse isha i interesuar. Kuptohet që një bashkëpunim profesional me Ilirin është diçka qe jo të gjithë e kan fatin, unë isha i përzgjedhuri për të realizuar këtë projekt dhe e pranova me shumë kënaqësi.
Ilir Rizaj ka përvojë të jashtëzakonshme në fushën artistike dhe bashkëpunimi ishte fare i lehtë.
Si ishte procesi artistik për krijimin e videos muzikore “Samba Griega”?
Adriatik Bërdaku: Procesi u zhvillua në disa faza, së pari ishte Iliri që komunikoi me producentin dhe këngëtaren për të kuptuar idete e tyre. Pastaj ai m’i prezantoi dhe aty filluan të zbërthenim detajet e historisë nga ana teknike. Të gjithë ishin të gatshëm për të ndihmuar në realizimin artistik duke filluar nga ideja deri tek detajet më te vogla të organizimit.
Mund të na tregoni për disa projektet e tua më të fundit?
Adriatik Bërdaku: Sapo jam kthyer nga nje udhëtim pune në Honolulu, Maui, Nevada për realizimin e një programi të ri për televizionin Italian RAI. Aktualisht po merem me xhirime spotesh per Prada, Philips, dhe shumë të tjerë. Gjithashtu kemi disa projekte të tjera me Ilir Rizaj, për kengetarë të huaj dhe jo vetëm.