Bota e fëmijëve është magjepsëse, sepse ata japin vetëm mirësi dhe pastërti kristalore si ujërat e pastra të maleve tona. Ata ndezin zemrat e shqiptarëve me palët e flamurit kuqezi që valëviten në hapësirat e Qendrës “Illyria” si dhe në mjedise të ndryshme në shkollat publike amerikane në Nju Jork. Shkolla shqipe “Alba Life” dha të shtunën koncertin e madh tradicional të fundvitit në zemrën e shqiptarëve të Nju Jorkut në Qendrën “Illyria” dhuruar për Diasporën nga Z. Mark Gjonaj, Këshilltar në Bashkinë e Nju Jorkut.
Që në hyrje të Amfiteatrit ndihmuan në pritje të njerëzve dhe të organizimit dy koordinatorët e Shkollës Shqipe “Alba Life” në Bronx si Arta Xhaferri, Blerim Gjocaj dhe Dr.Manjola Duli.
Amfiteatri u skuq nga kostumet dhe flamujt si dhe u ndriçua nga veshjet kombëtare të studentëve. Në amfiteatër ishte një Shqipëri e vërtetë, një Shqipëri etnike e të gjitha trojeve, kishte Marigot që qëndisnin flamujt, Is Boletini nga Mitrovica,aty ishte një dishepull i Ismail Qemal Vlorës, Mark Gjonaj dhe studentët që e rrethuan me aq dashuri. Ia njohin mirë zemrën z.Gjonaj, e kanë ndjerë nga afër mbështetjen e tij. Dhe kur fëmijët ju duan, ata nuk do ta harrojnë kurrë atë që u keni dhënë. Mark Gjonaj erdhi me Mr.Grinch i cili është një personazh imagjinar i krijuar nga Dr. Seuss. Ai njihet më së miri si personazhi kryesor i librit për fëmijë në vitin 1957 dhe shpërndau dhurata jo vetëm për fëmijët, por edhe për të gjithë pjesëmarrësit. Z. Gjonaj i uroi nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” që të mos rrinë kurrë pa mësuar Gjuhën Shqipe, gjuhën amtare, por të ulen dhe ta mësojnë mirë.
Juve ju është krijuar një mundësi e madhe e jashtëzakonshme, ndaj vlerësojeni për të mësuar mirë historinë e Kombit tone tha z.Gjonaj.
Qemal Zylo themelues dhe drejtor i TV dhe Shkolles Shqipe “Alba Life” e vlerësoi me çmimin e lartë me motivacionin:
“Çmim për arritje të jashtëzakonshme, për kontributin e tij të shquar në çështjen kombëtare si dhe për misionin e tij si një mbështetës i madh i madh i Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasadori i Kombit që vepron në të gjitha lagjet e Nju Jorkut. Ju jeni një shembull për t’u ndjekur në të ardhmen dhe për t’u vlerësuar nga të gjithë ne që patëm fatin t’ju shikonim dhe dëgjonim.
Ju keni sjellë ndryshimin”!
Koncerti u mbajt për herë të parë në Amfiteatrin e Qendrës “Illyria”, megjithëse patëm nderin të parët të praktikonim mësimin e gjuhës shqipe në këtë qendër të madhe kulturore dhe të shfaqnim një program artistik në përurimin e saj.
Shkolla Shqipe “Alba Life” Ambasadori i Kombit me një përvojë 14-vjeçare e nisi me shumë sukses vitin e ri akademik 2021-2022. Ne kemi mësim kudo në Nju Jork, megjithëse vazhdojmë të jemi në kushte pandemie.
Shkolla Shqipe “Alba Life” na mbledh në folenë e saj si dhe për të qenë bashkë me përkushtim të plotë në këtë mision kombëtar.
Shkolla shqipe “Alba Life” që funksionon në të gjitha lagjet e Nju Jorkut u ka ofruar nxënësve mjedise shumë të përshtatshme si dhe një mësimdhënie me metodat më moderne të kohës.
Të gjithë mësuesit ndihmojnë në përshtatje me format pedagogjike, psikologjike dhe intelektuale, sipas moshës dhe niveleve të tyre gjuhësore.
Nxënësit janë thuajse shenjtorë të Gjuhës Shqipe, e mbrojnë duke mësuar dhe jo duke u asimiluar.