Pas takimit prej 6 orësh dje me kabinetin qeveritar, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar për më shumë se 4 orë një mbledhje të dytë me socialistët. Në takimin e sotëm, i cili gjithashtu u zhvillua në ambientet e “Vila 30”, Rama ftoi ministrat që nuk morën pjesë në mbledhjen e djeshme dhe sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri.
Edhe pse pa praninë e mediave, është bërë me dije se në takim u diskutua lidhur me punën e bërë nga ministrat në këto 100 ditët e para të qeverisjes së mandatit të tretë. Gjithashtu u diskutua edhe lidhur me punën organizative të Partisë Socialiste, duke marrë parasysh faktin që presidenti Ilir Meta pritet që të dekretojë zgjedhje të pjesshme lokale për 6 Bashki të vendit. Ndërsa diskutime mësohet se ka pasur edhe për ndryshime në statutin e PS, por ende nuk ka asnjë detaj apo propozim konkret.
Në mbledhjen e djeshme, Rama u analizoi ministrave punët e bëra në 3-mujorin e parë të mandatit, ndërsa diskutimet kishin në fokus pandeminë e koronavirusit dhe procesin e rindërtimit. Ndërsa vetë deri më tani nuk ka bërë me dije asnjë detaj në asnjë prej platformave të tij, se çfarë ka diskutuar me socialistët e tjerë.