Pjestarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë janë xhiruar duke kënduar këngë ultra-nacionaliste duke i bërë lavde gjenocidit të Srebrenicës, shkatërrimit të Vukovarit dhe duke bërë thirrje për krime të reja ndaj minoriteteve pakicë në Serbi.
Videoja është realizuar në një restorant në Priboj të Serbisë gjatë festës së Vitit të Ri.
Deri më tani asnjë prej autoriteteve nuk ka reaguar ndaj kësaj mënyre festimi, ndaj duket se glorifikimi i gjenocidit dhe thirrja për krime të reja nuk i ka shqetësuar.
Kujtojmë se qyteti i Priboj është një mjedis shumëkombësh, që gjatë ngjarjeve të fundit të luftës kundër boshnjakëve të kësaj komune janë bërë krime të tmerrshme për të cilat askush nuk ka marrë përgjegjësi ende.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe deputeti shqiptar, Shaip Kamberi, ku ka shkruar se:
“Këngët e policëve në Sanxhak janë fytyra e vërtetë e Serbisë së Vulinit dhe Vuçiqit” – ka shkruar ndër të tjera deputeti Kamberi.
Më poshtë e gjeni të plotë reagimin e deputetit, Shaip Kamberi:
KËNGËT E POLICËVE PËR SREBRENICË TË RE NË SANXHAK JANË FYTYRA E VËRTETË E SERBISË SË VULINIT DHE VUÇIQIT
“O Pazar – Vukovari i ri, oj Sjenicë – Srebrenicë e re”.
Këto janë vargjet të cilët gjatë festimit të vitit të ri i kënduan disa pjesëtarë të policisë që veprojnë në zonën e Sanxhakut.
Ato i publikuan me krenari edhe në rrjetet e tyre sociale.
Sigurisht. Çfarë të pritet nga polici kur Ministri i tij mohon çdo ditë gjenocidin e Srebrenicës, me heshtjen miratuese të Presidentit Vuçiq.
Këngët e policëve në Sanxhak janë fytyra e vërtetë e Serbisë së Vulinit dhe Vuçiqit.