Në këtë krizë botërore të shkaktuar nga Rusia, vetëm një person merr tashmë rëndësi: Vladimir Putin.
Presidenti rus është mburrur se i vetëm ai vendosi të pushtojë Krimenë.
Tani më shumë se 100,000 ushtarë janë duke pritur urdhrin e tij për marshim në kufirin me Ukrainën. A do ta japë Putin atë urdhër?
Putin është “mbrojtur” rreptësisht nga Covid-19 që nga fillimi i pandemisë, aksesi i tij ehde nga njerëz shumë të afërt është rreptësisht i kufizuar dhe ata pak njerëz që lejohen ta takojnë duhet të karantinohen për disa ditë më parë.
Sipas ish-të besuarve, atij i pëlqen të shikojë televizionin shtetëror, përdor shumë rrallë smartphone dhe shumë rrallë po ashtu përdor dhe internetin. Por ai bën shumë telefonata.
Por cili është plani i tij për Rusinë dhe botën tani? Cili është plani i burrit që jeton i izoluar në Moskë, në Soçi, e ndonjëherë edhe në shtëpinë e tij?
Presidenti rus është i shqetësuar për sigurinë e vendit të tij, siç e ka thënë vetë ai.
Rusia kërkon fundin e zgjerimit të NATO-s, tërheqjen e armëve bërthamore amerikane nga Evropa dhe jo stërvitje të mëtejshme ushtarake pranë Rusisë.
Në konferencën e tij vjetore për shtyp në fund të dhjetorit, Putin paralajmëroi se NATO po avanconte dhe po ndërtonte baza me sisteme të reja armatimi: “Në lindje, në jug, në veri dhe në perëndim, natyrisht”.
Por një vështrim në hartë nuk e konfirmon këtë.
Zgjerimi i fundit i NATO-s në lindje ishte pothuajse 18 vjet më parë.
Sot, Rusia ndan 800 kilometra nga 57,680 kilometrat e kufirit të saj të jashtëm me anëtarët e NATO-s, Norvegjinë, Estoninë dhe Letoninë.
Polonia dhe Lituania kufizohen me eksklavën e Kaliningradit për rreth 400 kilometra.
Vladimir Putin sot po ushqen qëllimisht një keqkuptim nga perëndimorët për Rusinë.
Shumë besojnë se Putini po reagon vetëm ndaj SHBA -së dhe NATO-s. Nëse Perëndimi do të sillej ndryshe, do të tregonte mirëkuptim dhe do t’i përgjigjej shqetësimeve të Putinit, atëherë ai do të vepronte shumë ndryshe. Ky është një supozim jo i saktë dhe që nënvlerëson Rusinë. Rusia është një fuqi botërore mjaft e madhe për të mos reaguar ndaj të tjerëve, e për të vepruar sipas dëshirave së saj.
Kjo është pikërisht ajo që po bën Putin. Ai ka plane të tjera, e sheh Perëndimin si të dobët dhe do të donte të vendoste një rend tjetër në Evropë, pa SHBA. Për shkak se Putin nuk sundon një vend të vogël, por një superfuqi bërthamore, sot ai po trondit Evropën dhe botën në të cilën ne jemi ndjerë të sigurt për tre dekada. /Nga Michael Thumann- Përkthyer me shkurtime nga zeit.de- PANORAMA