“Çoji cigare shokut te 313. Çoji cigaret shokëve tek 313”. Kështu iu drejtua këtë të enjte kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja duke e thumbuar edhe për dënimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
“Do ta bie dhe ty”, u përgjigj Manja.
Janë disa prej replikave të Bashës dhe Manjës gjatë seancës plenare të zhvilluar ditën e sotme ku po diskutohet për zgjatjen e afatit të organeve të Vettingut.
Basha ka hedhur akuza ndaj mazhorancës dhe tha se “Tani e kuptojmë pse është e rëndësishme që mos t’i lemë horrat dhe banditët që kanë sjellë bedeltë e tyre në parlament që të festojnë një ditë kur ONM të largohet dhe gjyqtarët e prokurorët jo 50-60% siç lajmëron sot Ulsiu me Imerin, t’i emërojnë 100% këta”.
Më pas, Basha iu drejtua Manjës duke i thënë që të mendohet mirë sepse do të vijë dita që të japë llogari për dosjen 184.
“Mendohu mirë Ulsi Manja se për momentin mund të duket vetja i përkëdhelur, i mbrojtur, por harroje ti dhe këtë po ta them në emër të qytetarëve se nuk do të vijë dita që të japësh llogari edhe ti me pjesën tjetër të bandës së strukturuar kriminale për dosjen 184”, tha Basha.
“Nuk është vendi t’i tregojmë njëri tjetrit kush je ti e kush jam unë. Nuk ke pse e ngre zëri dhe as pse bërtet. Nuk mendoj se e bërtitura është argument, nuk besoj se të bën më të fortë politik dhe më të ndershëm. Le ta lemë drejtësinë të flasë. Këtu jam unë, këtu je ti, këtu do jemi të gjithë. Sot është momenti për të votuar këto ndryshime kushtetuese për të lënë drejtësinë të flasë”, replikoi nga ana tjetër Manja.