Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u shndërrua në një komandant lufte brenda pak orësh. Amerikanët dhe vetë ai, konfirmojnë se Zelensky është objektivi kryesor i “agresionit rus”. Presidenti ukrainas dhe ekipi i tij “do të marrin vendime në orët e ardhshme, në ditët në vijim, bazuar në atë që është në interesin e tyre, çfarë është në interes të popullit ukrainas, çfarë është në interes të shtetit ukrainas,“- shkruajnë mediat.
Zelensky, një ish-komedian televiziv, ka luajtur rolin e një presidenti në një prej karaktereve të tij komikë.
Kush është Volodymyr Zelensky?
Zelensky, presidenti i Ukrainës, është më i njohur për rolin e tij në serialin komik ukrainas ‘Shërbëtori i Popullit’, që flet për një mësues i cili aksidentalisht bëhet president. Ai lindi nga prindër hebrenj më 25 janar 1978, në Kryvyi Rih, në një qytet industrial kryesisht rusishtfolës në Ukrainën jugore. Ai është presidenti i parë i Ukrainës me prejardhje hebreje.
Babai i tij, Oleksandr Zelenskyy, është profesor dhe doktor i shkencave teknike dhe kreu i Departamentit të Kibernetikës në Institutin e Ekonomisë Kryvyi Rih. Nëna e tij, Rymma Zelenska, ka punuar si inxhiniere. Gjyshi i tij, Semyon Zelenskyy, shërbeu në Ushtrinë e Kuqe gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa babai dhe tre vëllezërit e tij u vranë gjatë Holokaustit. Volodymyr Zelensky u diplomua për juridik nga Instituti i Ekonomisë Kryvyi Rih, por nuk punoi asnjë ditë në fushën ligjore, duke ndjekur një karrierë në art.
Aktualisht Rusia po sulmon ish-Bashkimin Sovjetik nga tre fronte dhe po lëshon raketa në vende të ndryshme pranë kryeqytetit, Kiev, në një pushtim masiv që ka provokuar dënime të zemëruara nga Perëndimi.
Në një deklaratë të enjten vonë, Zelensky tha: “Sipas informacioneve tona, armiku më ka shënuar si objektivin nr. 1, familjen time si objektivin nr. 2. Ata duan të shkatërrojnë Ukrainën politikisht duke shkatërruar kreun e shtetit. “Ne kemi informacione se grupet e sabotimit të armikut kanë hyrë në Kiev. “Unë jetoj në qarkun qeveritar me të tjerët,” shtoi ai.
Më 24 shkurt 2022, presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar një “operacion ushtarak” në Ukrainë ku ka nisur bombardimet. Menjëherë, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyi, shpalli gjendje lufte. SHBA, BE dhe NATO dënuan sulmin duke u zotuar se Rusia do të mbajë përgjegjësi. Më 21 shkurt 2022, Putin njohu rajonet separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si përpjekje për pushtim të plotë. Rusia ka vendosur më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën ndërsa NATO e quan si grumbullimin më të madh ushtarak që nga koha e Luftës së Ftohtë.