Lufta në Ukrainë futet në ditën e 13-të. Ushtria ruse rreth Kievit po synon pushtimin e kryeqytetit ukrainas. Duke marrë kontrollin e plotë të shumicës së qendrave kryesore urbane të Ukrainës Lindore, por edhe të porteve kryesore të Ukrainës në Detin e Zi, me përjashtim, deri më tani, të Odesës , Moska duket se po fokusohet gradualisht në arritjen e qëllimit të saj kryesor, i cili nuk është gjë tjetër veçse kontrolli i strukturave bazë administrative, ushtarake dhe qeveritare të vendit.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, pritet të zhvillojnë sot një telefonatë të përbashkët me presidentin e Kinës, Xi Jinping.
Thirrja sinjalizon rritje të presionit mbi Kinën për konfliktin Rusi-Ukrainë.
Shefi për çështje humanitare i Kombeve të Bashkuara, Martin Griffiths, i bëri thirrje Ukrainës dhe Rusisë që të sigurojnë korridore të sigurta për civilët që ikin nga luftimet dhe për dërgimin e ndihmave humanitare në zonat e armiqësive aktive.
OKB-ja dhe partnerët e saj kanë ofruar ushqime për qindra mijëra njerëz, por situata e sigurisë e ka bërë të vështirë arritjen në zona të caktuara.
Ushtria e Ukrainës ka dhënë përditësimin e saj të fundit mbi pushtimin rus, duke thënë se “armiku po vazhdon një operacion sulmues, por ritmi i avancimit të trupave të tij është ngadalësuar ndjeshëm”.