Ukraina është zgjuar në ditën e 20-të të pushtimit rus. Granatimet ruse të Kievit vazhdojnë edhe sot, me djegien e një ndërtese banimi pasi u dëgjuan shpërthime në kryeqytet. Zjarri tani është shuar, thotë shërbimi shtetëror i emergjencave të Ukrainës.
Ndërkohë rrjeti i metrosë së Kievit ka postuar në Twitter se një nga shpërthimet këtë mëngjes dëmtoi fasadën e stacionit Lukyanivska dhe zyrat e saj. Lukyanivska është mjaft afër qendrës së Kievit. Stacioni është mbyllur për shkak të dëmtimit.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës ka njoftuar se gjatë 24 orëve janë goditur 4 avionë rus.
Gjithashtu autoritetet ukrainase njoftojnë se forcat ruse mbeten të përqendruara në territorin ukrainas dhe nuk kanë arritur të bëjnë përparime të mëtejshme.
Katër helikopterë, një avion dhe një raketë që i përkisnin Rusisë u goditën nga forcat ukrainase.
Korridoret e evakuimit janë planifikuar të vendosen ndërmjet orës 09:00 dhe 21:00 me kohën lokale në rajonin verilindor Sumy, thotë administrata shtetërore rajonale.
Negociatat mes Rusisë dhe Ukrainës do të vazhdojnë sot, sipas presidentit të Ukrainës. Një këshilltar i qeverisë ukrainase kishte thënë më herët se pret që lufta të përfundojë në fillim të majit.
Një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane tha se pothuajse të gjitha ofensivat ushtarake ruse në Ukrainë, kanë ngecur, pas një përparimi të vogël që kanë bërë në fundjavë. Zyrtari i Pentagonit tha se trupat ruse janë ende rreth 15 kilometra larg qendrës së Kievit.
SHBA-ja paralajmëroi Kinën se do të ketë pasoja nëse e ndihmon Rusinë në pushtimin e Ukrainës. Rusia e mohoi se ka kërkuar ndihmë të tillë nga Kina. Pekini po ashtu tha se nuk ka pasur një kërkesë të tillë.
Mbretëria e Bashkuar paralajmëroi sanksione të reja për më shumë se 100 individë, që kanë lidhje me regjimin e presidentit rus, Vladimir Putin.