Elsa Lila u arrestua sot nga policia italiane si pjesë e një grupi të akuzuar për trafik droge në Romë. Por ajo nuk është artisja e vetme shqiptare e arrestuar për këtë akuzë.
Liljana Kondakçi
Këngëtarja Liljana Kondakçi nisi problemet me drejtësinë italiane në verën e vitit 2006, kur u ndalua në stacionin hekurudhor Sibarit teksa transportonte tre kg kokainë. Në mediat italiane, përdorej emri i “mamaja”, pasi me këtë nofkë artistja shqiptare njihej nga trafikantët. Ajo dyshohej se ishte pjesë e një trafiku droge të përbërë nga 20 anëtarë.
Në vitin 2010 ajo u arrestua në Selanik dhe më pas gjykata kishte vendosur ekstradimin e saj drejt Italisë në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga gjykatësi i Catanzaro-s, Vincenzo Antonio Lombardo dhe prokurori i Anti-mafias, Vincenzo Luberto.
Vetë Kondakçi gjithmonë e ka mohuar implikimin e saj në trafikun ndërkombëtar të drogave. Në 2010 “La Gazzetta del Sud” duke cituar prokurorin e Anti-mafias, Lumberto, shkruante se Kondakçi ishte pjesëtare në organizatën kriminale që drejtohej nga një prej padrinove më të rrezikshëm të narko-trafikantëve shqiptarë.
Në atë kohë këngëtarja shqiptare dyshohej se kishte përdorur popullaritetin e saj për t’u shpëtuar kontrolleve të policisë në Shqipëri dhe për të transportuar drogën.
Koço Devole
Aktori i njohur i humorit Koço Devole u arrestua në Itali në vitin 2002 bashkë me disa persona të tjerë nën akuzën e trafikut të drogës. Arrestimi u bë nga policia Italiane në Bari dhe Devole festoi 55-vjetorin e lindjes në dhomat e paraburgimit të komisariatit në këtë qytet.
Viktor Zhusti
Në mbrëmjen e 5 janarit të vitit 1998, një ndër aktorët më të shquar shqiptarë, u arrestua nga policia greke. Mediat asokohe e raportuan me bujë të madhe arrestimin e Viktor Zhustit, i cili u kap me 11 kilogramë heroinë.
Arian Begaj
Arian Begaj, 41 vjeç u arrestua pak ditë më parë nga policia greke bashkë me një 63-vjeçar pasi posedonte një kilogram hashash dhe 50 gramë kokainë. Në shtëpinë e 63-vjeçarit grek u gjetën 1015 gramë kanabis dhe një pistoletë.
Valbona Xeka
Në korrik të vitit 2016 këngëtarja Valbona Xeka, 41 vjeçare nga fshati Kameras i Krujës, u arrestua në pikën e kalimit kufitar në Qafë Thanë me 12 gr lëndë narkotike të dyshuar si kanabis, ndërsa udhëtonte në drejtim të Maqedonisë.