Lufta duket se ka filluar ta plakë Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky. 44 ditët e luftës në vendin që e udhëheq, ia kanë shtuar disa rrudha në fytyrë, raporton Express.
Po të krahasosh fotografitë e tij para fillimit të luftës me ato të ditëve të fundit, duket sikur ka vite mes kohëve kur janë realizuar.
Por, në fakt kanë dallim vetëm 1 muaj e rreth dy javë.
*Fotografi nga 23 shkurti, një ditë para se të fillonte lufta
Ndikim në këtë mund të ketë pasur edhe mungesa e gjumit, meqenëse raportohet se ai ka fjetur vetëm “dy orë në ditë”, që prej se ka filluar lufta.
Ndryshe, Zelensky është shndërruar në një prej figurave kryesore të asaj se çfarë po ndodh në Ukrainë pas agresionit dhe brutalitetit të Rusisë së Vladimir Putinit. Shumë njerëz nëpër botë tashmë e pëlqejnë Zelenskyn për atë se si është shndërruar në një pikë kyçe motivuese për popullin dhe ushtrinë për të luftuar kundër një fuqie si Rusia.
Por, si është një ditë e tij përgjatë kësaj periudhe të luftës?
E përditshmja britanike “Daily Mail”, ka publikuar një artikull në të cilin tregohet se Zelensky shpenzon kohën më të madhe në bunker. Ai për çdo tre ose katër ditë del nga bunkeri në mënyrë që të shoh edhe vetë se si është situata në terren.
Presidenti Ukrainas përgjatë muajit të kaluar duket se ka fjetur vetëm “dy orë në ditë”, derisa vendi i tij i shkatërruar nga lufta vazhdon të përballet me forcat ruse.
Siç shkruan “Daily Mail”, familja e Zelenskyt për herë të fundit dihej se fshihej diku në Ukrainë për t’iu shmangur forcave ruse përderisa Zelensky ka frikë se gruaja e tij dhe fëmijët janë top target në listat e vrasjeve.
Javën e kaluar u raportua se Zelensky dha intervistën e tij të parë për mediat ruse – të cilat rregullatori shtetëror i medias Roskomnadzor e ka ndaluar transmetimin e tyre që nga fillimi i pushtimit, me pesë gazetarë në kanale të ndryshme që premtuan të publikonin transkriptin e pa redaktuar të asaj që u tha.
Zelensky u intervistua nga Vladimir Soloviev, Mikahil Zigar i Kommerasant bashkë me dy gazetarë, mediat e të cilëve janë të ndaluara në Rusi dhe Ivan Kolpakov nga Meduza dhe Tikhon Dzyadko nga Dozhd TV.
“Unë po ju jap këtë shpjegim në vend të një po ose një jo sepse në këtë drejtim po shkojnë mendimet e mia, më falni, dita ime ka qenë pak e rrëmujshme, nuk kam fjetur mirë mbrëmë,” kishte thënë Zelensky në në mes të përgjigjes së një pyetjeje, transmeton Express.
Alexander Morozov, shkencëtar politik dhe anëtar i Qendrës Boris Nemtsov për Studime Ruse (Universiteti Charles, Pragë), e quajti intervistën një ‘ngjarje spektakolare’.
Në një postim në Facebook, Morozov tha: “Është e qartë se Zelensky për 30 ditë ka fjetur dy orë në natë, por ai vendosi të dilte dhe të fliste në mes të pagjumësisë së rëndë – për të cilën foli në mes të intervistës”.
“Zoti i dhente forcë. Është e vështirë të përballosh një stres të tillë 30-ditor. Dhe është edhe më e vështirë të qëndrosh i hapur, të mos shkosh në retorikën e zhveshur të urrejtjes. E megjithatë vazhdon të flasë në gjuhën e ‘normës njerëzore’, çiltërsisë, dhimbjes, sinqeritetit.’, ka thënë Morozov.
Në një intervistë me Economist, duke folur me një gazetar në bunkerin e tij këtë javë, Zelensky theksoi rëndësinë e largimit nga “kështjella” sa më shpesh që të mundet, duke aluduar në një kontrast me Vladimir Putinin, i cili është bunkerizuar “për më shumë. dy dekada’.
Ai tha: “Nëse nuk dal as për tre ose katër ditë, dhe qëndroj vetëm në zyrën time, nuk do ta di se çfarë po ndodh në botë”.
Siç shkruante “The Economist” bunkeri i Zelenskyt është i bllokuar nga porta metalike, është i rrethuar nga snajperë dhe i pajisur me sisteme të mbrojtjes ajrore.
Në fillim të marsit, ai tha në mënyrë të famshme nga pallati presidencial në Kiev: “Unë jam këtu, nuk fshihem dhe nuk kam frikë nga askush.
“Të gjithë jemi në vendet tona duke punuar, aty ku duhet të jemi. Ekipi im është në Kiev me mua. Ne të gjithë po luftojmë, të gjithë po kontribuojmë në fitoren tonë, e cila me siguri do të ndodhë”, kishte thënë Zelensky./Gazeta Express