Vladimir Putin ka sinjalizuar se Rusia mund të tolerojë anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në aleancën ushtarake të NATO-s, por paralajmëroi se Kremlini do të kundërpërgjigjet nëse në këto dy vende do të vendosen baza ushtarake apo do të dërgohen ekuipazhe.
Kështu e gjen zyrtarizimi i qëllimësisë së dy vendeve për t’u bashkuar me organizatën, presidentin rus.
Ai deklaroi se anëtarësimi i tyre, “nuk përbënte një rrezik të drejtpërdrejtë për Moskën”, duke shtuar se nuk do të kishte ndonjë problem po të pranoheshin në NATO.
Ajo çfarë duket më shqetësuese për Putinin, është pikërisht vendosja e bazave ushtarake të NATO-s në dy vendet nordike.
Në të tillë rast, kjo gjë do të provokonte edhe një reagim të Rusisë.
Kjo mund të jetë edhe një frymëmarrje më shumë për aleancën e Atlantikut të Veriut, pasi më parë qasja ishte e qartë: një “jo” e vendosur.
Mirëpo, problemi real që shtrohet momentalisht, është ai i një vetoje të mundshme që Turqia mund të vendosë për qëndrimin e saj ndaj Suedisë dhe Finlandës.
Kjo retorikë nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e ka shqetësuar mjaft kontinentin e vjetër dhe, mbi të gjitha, zyrtarët nga dy vendet kandidate.
Sa i përket ndërkaq mendimit real të Putinit mbi NATO-n, ai e ka ripërsëritur disa herë se e sheh këtë aleancë si zgjatim të interesave amerikane.
Pavarësisht kësaj, vetë Putini mund të cilësohet edhe si iniciator i kësaj nisme, pasi mendimi nga Evropa Veriore për t’u anëtarësuar lindi pikërisht pas agresionit rus në Ukrainë dhe pas retorikës së rrezikshme, që prej zgjerimit të aksionit ushtarak e deri te përdorimi i armëve bërthamore.