Presidenti turk Erdogan tha ditën e sotme se ai pret që aleatët e NATO-s të kuptojnë ndjeshmërinë e Turqisë për sigurinë lidhur me aplikimin e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësimin në NATO.
Në një fjalim para ligjvënësve nga partia e tij në pushtet, ai përsëriti pikëpamjen e tij se delegacionet suedeze dhe finlandeze nuk duhet të shqetësohen të vijnë në Turqi për të diskutuar këto çështje.
Sipas Erdoganit, Suedia dhe Finlanda nuk duhet të presin që Turqia të miratojë ofertën e saj për anëtarësim në NATO pa dorëzuar terroristët.
Turqia akuzon dy vendet nordike se strehojnë anëtarët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), një grup të cilin ajo e sheh si një organizatë terroriste, dhe pasuesit e Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja e akuzon për orkestrimin e një përpjekjeje për grusht shteti të vitit 2016.
Sipas agjencisë zyrtare turke të lajmeve, Finlanda dhe Suedia kanë refuzuar dhjetëra kërkesa për ekstradimin e militantëve kurdë, të cilët Turqia i përshkruan si terroristë.
Pa mbështetjen e të gjithë anëtarëve të NATO-s, Suedia dhe Finlanda nuk mund t’i bashkohen aleancës ushtarake, megjithëse presidenti i SHBA Joe Biden tha dje se ishte i bindur se mund të arrihet konsensusi.