SPAK ka tërhequr dosjet nga prokuroritë e gjykatat e rretheve për krime ku dyshohet se është përfshirë grupi i Talo Çelës dhe Nuredin Dumanit. Disa çështje janë të pezulluara, por do të hetohen sërish nga SPAK në kuadër të grupit kriminal. Kjo vjen pas megaoperacionit të SPAK “Golden Bullet” që u lëshuan 32 urdhër arreste, nga të cilat 18 u ekzekutuan nga policia (prej të cilave 9 masa iu komunikuan persona të arrestuar për vepra të tjera penale), ndërsa 14 janë ende në kërkim.
Dy të penduar të drejtësisë, Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj nga qelia zbërthyen vrasjet nga grupet e organizuara kriminale të një dekade nga viti 2011 deri në 2022-shin, për të cilat Shqiptarja.com dhe Report Tv siguruan DOSJEN. Më shumë se 12 janë ngjarjet kriminale që mendohet se janë zbardhur nga dëshmia e Nuredin Dumanit, pas arrestimit dhe janë goditur 8 grupe kriminale pasi Dumani dhe Hoxha bashkëpunuar me drejtësinë për të zbardhur krimet ndër më të rëndat në këto vitet e fundit, ekzekutime mafioze por edhe urdhra për vrasje, pagesa qindra mijëra euroshe për ekzekutime etj.
Mes emrave të tjerë të shpallur në kërkim janë Talo Çela, i cili u lokalizua me anë të përgjimeve, por nuk u arrit të arrestohet, Florenc Çapja i cili ndodhet në Dubai, Kamer Mehja dhe avokati Alban Bengasi për të cilin burimet thonë se ka manipuluar provat për dy vrasje në favor të grupeve kriminale. Po ashtu, si pasojë e konflikteve që kishte me bashkëshorten, avokati është konstatuar në përgjime duke i kërkuar grupeve kriminale të djegin e makinës e gruas me të cilën po divorcohej.
Dosja e SPAK, e cila çoi në pranga disa anëtarë të bandave kriminale në vend ka hedhur dritë edhe për grabitjen e parë që grupi Dumani-Çela kanë bërë plot 12 vite më parë që shënoi fillimin e aktivitetit kriminal të tyre. Kështu në dëshminë e tij në dosjen e siguruar nga Shqiptarja.com dhe Report Tv, Nuredin Dumani tregon kohën kur ai ka kryer grabitjen e parë në një argjendari. Dumani kujton vitin e largët 2010, ku së bashku me disa persona të tjerë, përfshi edhe Talo Çelën kanë kryer grabitjen e argjendarisë. Ai tregon se ka arritur të grabisë 8.3 kg flori dhe 30 ora, të cilat më pas i kanë shitur në Korçë, 12 mln lekë të vjetra një kilogram flori.