Tifozët dhe qytetarët në Roterdam duket se nuk e “kapërdijnë” dot humbjen e Conference League të Feyenoord, që u përball me Romën në Tiranë.
Mediat vendase raportojnë se gjatë natës ka patur akte dhune, ndërsa policia ka arrestuar 72 persona.
Po ashtu referuar mediave vendase, policia ka përdorur ujë për të shpërndarë turmat e njerëzve.
Tifozët dogjën dhe shkatërruan, duke përfshirë tramvaj dhe autobusë ndërsa kanë sulmuar me gurë edhe policinë.
Policia paralajmëroi për të tjera arrestime, ndërsa u bëri thirrje kalimtarëve që të shpërndanin pamjet e kamerave të vëzhgimit në mënyrë që të mund të identifikoheshin rebelët.
Normaliteti në Roterdam u rikthyer pas orës 1:00 të mëngjesit të së enjtes.