Valentin Yumashev, dhëndri i ish-udhëheqësit rus Boris Yeltsin, i cili ndihmoi Vladimir Putin të vinte në pushtet, ka hequr dorë nga roli i tij si këshilltar i Kremlinit, thanë për Reuters dy njerëz të afërt me Yumashev.
Sipas Reuters, Yumashev ishte një këshilltar i papaguar me ndikim të kufizuar në vendimmarrjen e Putinit, por largimi i tij heq një nga lidhjet e fundit brenda administratës së Putinit me sundimin e Jelcinit, një periudhë reformash liberale dhe hapjes së Rusisë ndaj Perëndimit.
Putin urdhëroi forcat e tij të armatosura të sulmonin Ukrainën më 24 shkurt, një pushtim që qeveritë perëndimore e kanë quajtur një akt agresioni i pajustifikuar.
Ndërkohë që Moska e quan një “operacion special” të nevojshëm për të mbrojtur rusishtfolësit në Ukrainën lindore.
Në mars, Anatoly Chubais, një tjetër figurë e lartë e epokës së Jelcinit, hoqi dorë nga roli i tij si i dërguar i posaçëm i Kremlinit.
Këtë muaj, një diplomat në misionin rus në Kombet e Bashkuara dha dorëheqjen për shkak të luftës.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment mbi largimin e Yumashev nga posti i këshilltarit dhe nuk iu përgjigj thirrjes në numrin e tij celular. Yumashev nuk iu përgjigj një kërkese për koment të dërguar nga Reuters.
Lyudmila Telen, zëvendësdrejtoresha e parë ekzekutive e fondacionit të Qendrës Presidenciale Boris Yeltsin, ku Yumashev është anëtar i bordit të besuar, i tha Reuters se Yumashev kishte hequr dorë nga roli i tij këshilltar në Kremlin në prill.
E pyetur pse u largua, ajo tha: “Ishte iniciativa e tij”.
Një person i dytë i njohur me vendimin e Yumashev, i cili foli në kushte anonimiteti, tha gjithashtu se Yumashev në prill pushoi së qeni këshilltar presidencial.
Nën pushtetin e Jelcin, i cili ishte president ne Rusi nga viti 1991 deri në 1999, Yumashev shërbeu si këshilltar i Kremlinit dhe më vonë si shef i shtabit të Kremlinit.
Ai është i martuar me vajzën e Jelcinit, Tatyana.