Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar 3.4 vite burg për ish-kryebashkiakun e Lushnjes, Fatos Tushe. Gazetari Ermal Vija mëson se SPAK ka kërkuar gjithashtu 2 vite e 8 muaj heqje lirie për Gentian Nushin. Ndërkohë, vazhdon pretenca për të akuzuarit e tjerë.
Kujtojmë se më herët GJKKO ka pranuar gjykimin e shkurtuar për Tushen dhe të akuzuarit e tjerë. Sipas ligjit Tushe përfiton uljen e 1/3 të dënimit final.
Ish-kryebashkiaku i arrestuar për abuzimin tenderin me vlerë 24 milionë lekë për rehabilitimin e një kanali vaditës ka kërkuar më herët nga Gjykata e Lartë pavlefshmërinë e përgjimeve të kryera nga SPAK.
Tushe u arrestua me 6 korrik të vitit të kaluar bashkë me ish-vartësit e tij për akuzën shpërdorimit të detyrës. GJKKO ka rrëzuar disa herë kërkesat e tij për liri.
Arrestimi i Tushes u bë lidhur me një tender me vlerë rreth 24 milionë lekë për rehabilitimin e një kanali ujitës në fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj. Nga hetimet dhe përgjimet e Prokurorisë së Posaçme të nisura në 2020-ën rezulton Fatos Tushe ka shpërdoruar detyrën në tre raste.
Përgjatë një viti hetimesh, SPAK pretendon se ish-kryebashkiaku i Lushnjes, ka kryer shkelje jo vetëm për dhënien në favor të miqve tenderin prej 23 milionë lekësh. Sipas SPAK ndonëse fituese u shpall ‘Euro Alb’, punimet për rehabilitimin e kanalit vaditës i kreu shoqëria e Ibrahim Lamit, i cili shfaqet shpesh në biseda dhe përgjime, si dhe etiketohet si ‘miku’ i ish kryebashkiakut.
Një tjetër episod kundër ish kryebashkiakut lidhet me një telefonatë në të cilën një banor i kërkon ndihmë sepse një inspektor i kishte pezulluar ndërtimin e banesës, dhe ai i përgjigjet “Thuaji që fola me shefin”.