Grupet shqiptare të trafikut të drogës kanë shtrirë tentakulat e tyre deri në kontinentin e largët australian. Një sasi e madhe droge u sekuestrua nga Policia vendase, ndërsa disa shqiptarë përfunduan në pranga.
OPERACIONI
Policia në Shtetin e Viktorias sekuestroi javën e shkuar kokainë me vlerë prej 20 milionë dollarësh në një nga kapjet më të mëdha të drogës së fundmi në historinë e shtetit. Gjatë një operacioni të madh kundër trafikut të lëndëve narkotike, forcat e rendit zbuluan 45 kg drogë pasi u kontrabandua në Victoria nga Greqia e fshehur brenda një xhuboksi. Pakot e drogës ishin markuar me numrin e famshëm të LeBron James si një reflektim i cilësisë, thotë Policia.
“LeBron 23 i referohet basketbollistit, mendoj se kjo është një lloj fushe shitjeje për këto grupe kriminale”, tha inspektori i detektivëve për AFP, Mark McKiernan. Drejtuesit e dyshuar të rrjetit të një organizate shqiptare të krimit të organizuar janë tani pas hekurave, me dy burra të akuzuar për vepra të rënda të drogës dhe përballen me mundësinë e burgimit të përjetshëm. Policia thotë se zbulimi duhet të jetë një paralajmërim për trafikantët e tjerë se pavarësisht se sa i sofistikuar është operacioni i tyre, autoritetet do t’i kapin ata. “Do të hasni në radarin tonë dhe ne do t’ju synojmë”, tha McKiernan.
RRJETI GLOBAL
Ndërsa në Australi u sekuestrua sasia e konsiderueshme e kokainës, autoritetet greke po hetojnë për një rrjet nga Amerika Latine, pasi pakot me kokainë të sekuestruara në Selanik mbanin të njëjtën logo me numrin e basketbollistit të famshëm, LeBron James. Autoritetet helene kërkojnë të zbardhin lidhjen me kartelin kolumbian prej nga erdhi kokaina si dhe pikëpyetjet që ekzistojnë mbi të arrestuarit britanikë, të cilët janë lënë në burg. Oficerët e Policisë që trajtojnë çështjen e shumëpërfolur globale e kanë përqendruar hetimin në pakot e kokainës që muajt e fundit janë identifikuar në shtetin grek me logon e kurorës mbretërore dhe numrin “23”, të cilat në kombinim i referohen markës së superyllit amerikan të NBA-së, LeBron James.
Sipas Policisë helene, “çelës” për vazhdimin e hetimeve mund të jetë arrestimi i një shtetasi britanik 45-vjeçar më 28 maj 2022 në Lutraki, i cili kishte mbërritur në Greqi më 26 të të njëjtit muaj nga Malaga e Spanjës. Autoritetet greke kanë marrë sinjal për britanikun nga DEA amerikane. Në banesën e tij në Korinth u sekuestrua një sasi kokaine me peshë 57 kilogramë e 215 gramë, e cila ishte ndarë në gjithsej 49 pako me logon e “mbretit” të NBA- së.
Ata vlerësojnë se 45- vjeçari ka mbërritur në Greqi për të marrë një rol qendror në menaxhimin e drogës. Dy muaj më parë, Policia në Zakynthos vuri në pranga një shtetas shqiptar 37-vjeçar, i cili mori nga dërgesa një pako me një kilogram kokainë me logon e mësipërme. Marrësi ishte 37-vjeçari, por kërkimi për dërguesin e paketës mbetet mister. Më 1 prill 2022, oficerët e Policisë së Prokurorisë së Drogës, gjatë kontrollit në Athinë, Zografou dhe Vouliagmeni, kanë vënë në pranga tre shqiptarë dhe një grek, të cilëve iu gjetën 10 kilogramë kokainë. E përbashkëta me të gjitha rastet e tjera është se katër nga dhjetë pakot që u konfiskuan përsëri kishin të njëjtin stampim.