Dashamirësit e shpejtësisë apo ata që pëlqejnë garat kanë pengesë radarët e Policisë Rrugore, të cilët shpesh-herë u prishin planet. Por dëshira për të thyer rregullat në rrugë ka detyruar shoferët në vend të krijojnë shtigje të reja. Të kalosh nga dritat e makinave që njoftojnë shoferët për prani policie në rrugë në përdorimin e teknologjisë. I tillë është edhe një grup i krijuar në aplikacionin e mesazheve “Telegram”, tek i cili shoferë nga e gjithë Shqipëria njoftojnë njëri-tjetrin për të pasur kujdes në vende që konstatohet se ka të instaluar radarë të Policisë Rrugore.
Grupi quhet “Forza Tirana” dhe pjesë e tij janë jo pak, por 1026 anëtarë, të cilët në çdo moment të ditës shkruajnë e njoftojnë për prani të radarëve në rrugë dhe patrullim të efektivëve të policisë. “Rrugore ku bashkohet Rruga e Durrësit me Mine Pezën”, “Shefi i qarkullimit me seria 5 te Xhamlliku”, “radar në autostradën Tiranë-Durrës, pa vajtur në Vorë”, “radar pasi kalon semaforin në Golem”, “Autostrada Durrës-Kavajë tek karburanti, sa hynë në autostradë, makina inteligjente”, këto janë vetëm disa prej mesazheve që drejtuesit e automjeteve njoftojnë për prani policie, radarësh dhe madje edhe makina inteligjente. Në grup anëtarët shpërndajnë edhe foto ku dallohen patrullat e policisë në akse të caktuara.
Por aplikacioni “Telegram” nuk është i vetmi që përdoret për të komunikuar përmes mesazheve për të njoftuar mbi radarët e policisë. Pak kohë më parë Sektori i Krimit Ekonomiko-Financiar në Policinë e Tiranës procedoi tre persona të cilët kishin hapur një grup të ngjashëm në “Ëhatsapp”, të akuzuar për veprën penale veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Në dy vitet e fundit, për shkak të ngjarjeve rrugore shumë të rënda në disa prej akseve më problematike, Policia Rrugore ka shtuar kontrollet. Pjesë e strategjisë për uljen e aksidenteve u bë edhe ndryshimi i Kodit Rrugor në qershor të vitit 2021, tek i cili u shumëfishua vlera e gjobave për shkelësit e rrugës. Por për të pasur sukses në uljen e aksidenteve, përveç ndryshimeve në Kod, Policia e Shtetit ka investuar në pajisje teknologjike, të cilat ndihmojnë në pikasjen e atyre që konsiderohen si “bomba” në rrugë. Prej disa muajsh është makina inteligjente, e cila pret gjobën në mënyrë automatike për të gjithë ata që lëvizin me shpejtësi tej normave të lejuara. Pak javë më parë janë shtuar edhe dhjetë makina të tjera inteligjente duke e çuar numrin e tyre në total në 11, janë 16 radarë automatikë dhe 2 lexues automatikë targash të lëvizshëm, të cilët qarkullojnë nëpër të gjitha akset rrugore problematike./ shqiptarja.com