Marinës ruse iu dorëzua javën e kaluar një nëndetëse e ‘fundit të botës’, e pajisur me silurët bërthamorë, madhësia e të cilëve mund të arrijë sa një autobusë shkolle dhe me një fuqi sa mund të shkaktojnë një cunam radiokativ.
Nëndetësja 184 metra e gjatë, 30,000 tonë e emërtuar Belgorod është nëndetësja më e madhe e ndërtuar në 30 vjet dhe mund të mbajë gjashtë dronë silurues bërthamor Poseidon, si dhe një ngarkesë deri në 100 megaton.
Këto armë pa pilot mund të prodhojnë një cunami deri në 500 m të lartë dhe janë ndërtuar për të shkaktuar ndotje radioaktive ‘shkatërruese’, të ngjashme me një bombë kobalti.
“Torpedot Poseidon” janë krijuar për të shkaktuar ‘shkatërrim’ të qyteteve bregdetare të rëndësishme ekonomikisht duke ‘krijuar zona të gjera të ndotjes radioaktive dhe duke i bërë ato të pajetueshme për një kohë të gjatë, apo të papërdorshme për veprimtari ushtarake.
Gjithashtu arma ka një rreze veprimi prej mijëra miljesh. Një kokë bërthamore e kësaj madhësie do të shkatërronte bregdetin e SHBA-së si pasojë e rrjedhjes radioaktive si dhe cunamit gjigand.
Në maj të vitit 2020, agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS raportoi se ngarkesa mund të jetë deri në dy megaton për të “shkatërruar bazat detare të armikut” dhe për të pasur një thellësi operacioni mbi 1 km.
Komandanti i Përgjithshëm i Marinës Ruse, Nikolay Tevmenov, tha në ceremoninë e dorëzimit të nëndetëses se ajo do të përdoret për ‘kërkime dhe ekspedita shkencore’, sipas TASS. Ai tha: “Nëndetësja Belgorod hap mundësi të reja për Rusinë në kryerjen e kërkimeve të ndryshme dhe ndihmon në ekspeditat e ndryshme shkencore dhe operacionet e shpëtimit në zona të largëta të Oqeanit Botëror”.
Nëndetësja e Belgorodit u kap përmes imazheve satelitore në sipërfaqen e Detit të Bardhë së bashku me nëndetësen e dytë më të madhe në botë, Dmitry Donskoi më 26 qershor, sipas analistit të mbrojtjes HI Sutton, i cili e quajti Belgorod një ‘nëndetëse e fundit të botës’. Ai tha: “Këto nëndetëse janë të mëdha, shumë më të mëdha se çdo gjë tjetër në Perëndim, madje edhe në klasën Ohio të Marinës së SHBA”. Nëndetësja mund të përmbajë gjithashtu drone ‘unikë’ të projektuar për misione të fshehta, si prerja e kabllove të telefonit nënujor dhe të internetit, duke shkaktuar dëme të pallogaritshme në ekonomitë perëndimore.