New York ka publikuar një video për banorët e saj, se si duhet të mbrohen në rast të një sulmi të mundshëm bërthamor, vetëm pak kohë pasi media shtetërore ruse tha se Putini mund të zhdukte Bregun Lindor dhe Perëndimor të SHBA-ve me vetëm 4 raketa, sipas Daily Mail.
Në klipin e publikuar të hënën, Departamenti i Menaxhimit të Emergjencave të qytetit u thotë qytetarëve të saj: “Pra, ka ndodhur një sulm bërthamor. Mos më pyesni si dhe pse. Por thjesht keni parasysh se katastrofa ka ndodhur. Në rregull pra, çfarë duhet të bëjmë?”.
“Ndërsa gjasat që një incident me armë bërthamore të ndodhë në afërsi të qytetit të Nju Jorkut janë shumë të ulëta, është e rëndësishme që njujorkezët të dinë hapat për të qëndruar të sigurt”, tha një zëdhënëse duke i inkurajuar qytetarët që ata të ndjekin disa hapa kyç nëse ndodh tragjedia.
Tre hapat e thjeshtë që duhet të ndjekin qytetarët janë ‘të futen brenda, të qëndrojnë aty dhe të presim udhëzimet se çfarë të bëjnë më pas.
Video-mesazhi vjen në një kohë që nga Rusia janë shtuar kërcënimet për ‘shfarrosjen e njerëzimit’ me armë nukleare, ndërsa në maj të vitit 2022, media shtetërore ruse ka lëshuar një kërcënim të ri bërthamor për SHBA-në, duke u mburrur se Putini mund të zhdukë të gjithë bregun lindor dhe perëndimor me vetëm katër raketa.
Alexei Zhuravlev, një anëtar i parlamentit kukull të Putinit, lëshoi kërcënimin duke thënë se “nuk do të mbetet asgjë” në asnjërin prej brigjeve pas sulmeve duke përdorur armën e re bërthamore të Rusisë “Sarmat 2” dhe se “reja e kërpudhave nukleare” do të shihet deri në Meksikë.
Zhuravlev më pas kërcënoi se do të asgjesontë 2 milionë ukrainas, duke i përshkruar ata si nazistë që nuk do të mbështesnin kurrë luftën e Rusisë.
“Sarmat 2” është raketa bërthamore e gjeneratës së fundit të Rusisë që mendohet të jetë e aftë të mbajë deri në 15 koka hipersonike, për të cilat Putin mburret se janë të afta t’i shmangin të gjitha mbrojtjet raketore aktuale.
Rikujtojmë se muajin e kaluar, Kremlini paralajmëroi se Europa do të zhdukej nga një apokalips bërthamor – një sulm verbal në përgjigje të aleatëve perëndimorë që kanë premtuar më shumë armë për Ukrainën.