Nga Gideon Rachman “Financial Times”
“Trumpi britanik” ishte nofka që i ngjiti Donald Trump, ish-presidenti i SHBA-së, Boris Johnson, kryeministrit në largim të Mbretërisë së Bashkuar. Shumë njerëz në Britani i rezistuan këtij krahasimi midis Johnson dhe Trump.
Tek e fundit Boris ka një aftësi për të qeshur me veten, një arsimim klasik dhe mund të shkruajë rrjedhshëm, veti këto shumë ndryshe nga ato të Trump. Unë u përballa me këtë krahasim kur shkrova librin tim të fundit “Epoka e udhëheqësve autoritarë”.
A ishte vërtet e drejtë që të përfshija në një kapitull Johnson, së bashku me Trump, Vladimir Putin e Xi Jinping? Dyshimet e mia u shuan nga spektakli i përpjekjes së dështuar të Johnson për të qëndruar me çdo kusht në pushtet. Një paralele që dikur dukej e ekzagjeruar, tani është më se e zakonshme, raporton abcnews.al.
Analisti britanik Andrew Neil, që njeh mirë si Trump ashtu dhe Johnson, shkroi “Unë i kam rezistuar gjithmonë krahasimeve midis Boris Johnson dhe Donald Trump, por tani jo më”. Siç theksoi Neil, Johnson është një njeri që “veproi, ashtu siç i pëlqente zotit Trump, sikur rregullat të mos vlenin për të”.
Jonathan Sumption, ish-gjyqtar i Gjykatës së Lartë në Britaninë e Madhe, e akuzoi Johnson për një “grusht shteti të dështuar”, duke pretenduar të ushtronte mandatin si një president amerikan. Si Johnson ashtu edhe Trump, jetojnë në një botë të fakteve alternative, ku të vërtetat e papërshtatshme shpërfillen ose hidhen poshtë si “lajme të rreme”.
Që të dy këta burra janë egoistë në ekstrem, të gatshëm ta shkatërrojnë sistemin politik në favor të interesave të tyre. Distanca nga Johnson tek Trump, dhe më pas nga Trump tek liderët e tjerë autoritarë – si Recep Tayyip Erdogan, Narendra Modi, Xi Jinping dhe Putin – është gjithashtu më e shkurtër nga sa mendohet shpesh.
Sistemet politike në të cilat funksionojnë këta liderë janë shumë të ndryshëm, por stilet e tyre politike janë shumë të ngjashëm. Të gjithë udhëheqësit autoritarë pretendojnë se janë të domosdoshëm. Dhe shumica e tyre janë edhe nacionalistë nostalgjikë.
Premtimi i Trump për ta “bërë Amerikën sërish të madhe”, është i ngjashëm me premtimin e Xi për një “përtëritje të madhe të popullit kinez”, dhe me aspiratën e Putinit për të qenë trashëgimtar i Pjetrit të Madh.
Kur një udhëheqës autoritar pretendon të jetë i vetmi lider i aftë që mund të rikthejë madhështinë kombëtare, atëherë krijohet baza për minimin e institucioneve të pavarura, që mund ta pengojnë këtë detyrë jetike, dhe në veçanti i gjykatave, medias dhe kushtetutës.
Cilido që proteston ndaj tij, denigrohet si pjesëtar i një elite të korruptuar, dhe që i kundërvihet vullnetit të popullit. Erdogan, Xi dhe Putin kanë ndryshuar kushtetutat e vendeve të tyre, për të eleminuar kufizimet mbi qëndrimin e tyre në pushtet, raporton abcnews.al.
Trump “bënte shaka” se Amerika duhet të ndjekë shembullin e Kinës. Udhëheqësit autoritarë janë shfaqur si në sistemet autoritare ashtu edhe në ato demokratike. Por në një demokraci, ata mund të rrëzohen shumë më lehtë. Putini dhe Xi mund t’u mbyllin gojën dhe t`i burgosin disidentët, pa pasur frikë se do të ndëshkohen për këtë.
Dhe as nuk shqetësohen nga hetimet e pavarura mbi sjelljen ose pasurinë e tyre. Erdogan po vepron gjithnjë e më shumë në një mjedis të ngjashëm. Në të kundërt, në SHBA dhe në Britaninë e Madhe, institucionet e pavarura ishin thelbësore për të mbajtur nën kontroll instinktet autoritare të Trump dhe Johnson.
Kur Johnson pezulloi parlamentin në fillim të mandatit të tij, ai akt u rrëzua nga Gjykata e Lartë. Edhe institucionet amerikane i rezistuan përpjekjeve të frymëzuara nga Donald Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Por ngjarjet e 6 janarit 2021, kur një turmë sulmoi Capitol Hill (Kongresin dhe Senatin) në Washington, janë një kujtesë se institucionet e pavarura nuk mund të ndahen nga njerëzit që i drejtojnë ato.
Nëse Mike Pence, zëvendëspresidenti i Trump, do të kishte marrë një vendim tjetër atë ditë, dhe do të kishte refuzuar të ratifikonte fitoren e zgjedhjeve nga Joe Biden, siç dëshironte Trump, Amerika do të ishte zhytur në një krizë të rëndë kushtetuese.
Edhe zyrtarë të tjerë amerikanë në nivel shtetëror, si Brad Raffensperger në Georgia, e bënë detyrën e tyre, duke refuzuar të shpiknin votat shtesë që kërkonte me ngulm Trump. Por ajo që ishte e vërtetë në vitin 2020, mund të mos jetë e vërtetë në vitin 2024.
Republikanët e rangjeve të larta, të cilët nxituan të dënojnë sjelljen e Trump pas 6 janarit, janë gjithnjë e më të gatshëm të besojnë gënjeshtrën se zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 u vodhën nga demokratët. Gjykata e Lartë në SHBA-së, po anon dukshëm nga e djathta radikale.
Edhe institucionet e nivelit shtetëror janë nën kërcënim nga besnikët e Trump. Të parit e këtyre ngjarjeve në SHBA, mund t’i bëjë disa britanikë të vetëkënaqur për shkak të shëndetin relativ që gëzon demokracia në Mbretërinë e Bashkuar, krahasuar me atë në SHBA.
Sistemi i ndërlikuar i kontrolleve dhe balancave në SHBA, duket më pak i aftë për të mbajtur nën kontroll një lider autoritar se sa sistemi më i cënueshëm i konventave shpesh joformale që qeverisin Britaninë. Partia Konservatore e detyroi Johnson të largohet para kohe, ndërsa republikanët e mbështetën jo pak Trump gjatë presidencës së tij, raporton abcnews.al.
Do të ishte mirë që t’ia atribuonim këtë qasje virtytit superior të politikanëve britanikë. Por dallimi i vërtetë qëndron në natyrën e elektoratit. Liderët e republikanëve në SHBA janë të paralizuar nga provat se baza e partisë mbetet ende nën kontrollin e Trump.
Shumica e deputetëve konservatorë do ta kishin toleruar faktin që Johnson është kryeministri i parë britanik që ndëshkohet për shkelje të ligjit gjatë kohës që ishte në detyrë, nëse do të mendonin që ai ishte ende një fitues i zgjedhjeve.
Njerëzit që kërkuan largimin e Johnson ishin votuesit në zonat elektorale Tiverton, Honiton dhe Wakefield, të cilat i shkaktuan Partisë Konservatore dy humbje të rënda në zgjedhjet e fundit. Pas atij momenti, çdo skandal, që do të shpërthente kishte gjithmonë gjasa që ta fundoste atë. Dhe me Johnson, nuk ka asnjëherë shumë kohë për të pritur. Në një demokraci, gardianët e vërtetë të sistemit mbeten votuesit./ Përktheu: Alket Goce-abcnews.al