Një djalë 6-vjeçar humbi tragjikisht jetën pasi u pickua nga një gjarpër me zile. CBS raporton se ngjarja e rëndë ndodhi teksa i mituri kishte dalë për xhiro me biçikletë bashkë me familjen në Colorado Springs, SHBA.
Babai dhe dy fëmijët e tij po pushonin kur 6-vjeçari vrapoi përpara dhe u pickua nga gjarpri. Ai humbi jetën 1 javë me vonë.
“Sapo pa që i biri u pickua babai e mori atë në krahë dhe nisi të vraponte drejt rrugës duke bërtitur për ndihmë”, tha për mediat kreu i zjarrfikëses Derek Chambers, i cili ishte ndër të parët që shkoi në vendngjarje paraditen e 5 Korrikut.
I mituri u dërgua me urgjencë me helikopter në spital, por fatkeqësisht nuk arriti të mbijetonte, duke gjetur vdekjen disa ditë më vonë.
“Është e vështirë të imagjinosh atë që po kalon familja e tij”, tha Chambers, i cili pas më shumë se 1 dekadë në shërbimin zjarrfikës, pohon se kjo ishte hera e parë që asistonte pickim nga gjarpri. Megjithatë Chambers thotë se shfaqja e gjarpërinjve nuk është e pazakontë.
Autoritetet thonë se nëse pickimi i gjarprit me zile nuk asistohet në kohë, mund të çojë në të vjella e marrje mendsh, rënie tensioni dhe aritmi.
Gjarpërinjtë me zile zakonisht i shmangin njerëzit, por rreth 8 mijë persona pickohen nga gjarpërinjtë helmues më SHBA çdo vit, me 10 deri në 15 vdekje.
Në 2017-n, një atlet 31-vjeçar humbi jetën pasi u pickua nga një gjarpër me zile në Colorado.