Nga CNN
Bëhet fjalë për kafenetë e Finlandës, saunat e saj ikonike dhe titujt e gazetave: Çfarë duhet të mendojnë njerëzit në këtë vend nordik për kryeministren Sanna Marin, pas një video virale këtë muaj që e tregonte atë duke kërcyer dhe kënduar e shkujdesur?
Videoja tregonte Sanna Marin, duke qeshur, duke kërcyer, duke tundur belin e vithet, në atë që për shtypin u tha se ishte një festë private me miqtë.
Një video e dytë qarkulloi disa orë më vonë, ku shfaqej kryeministrja, e martuar dhe nënë e një fëmije të vogël, duke kërcyer në krahët e një burri që nuk ishte i shoqi.
Dhe të martën, ajo u ndje e detyruar të kërkonte falje për fotot e postuara në internet të dy vajzave topless duke u puthur me njëra-tjetrën në një festë muajin e kaluar në rezidencën zyrtare të Marin në Helsinki. Marin tha se ajo nuk ishte e përfshirë personalisht në akte intimiteti me vajzt.
“Ne bYmë sauna, notuam dhe kaluam kohë së bashku. Kjo lloj fotografie nuk duhej bërë, por asgjë e jashtëzakonshme nuk ndodhi në atë takim”, shtoi kryeministrja.
Gjithçka është në përputhje me imazhin “puno shumë, kënqu më shumë” që ka kultivuar Marin.
Kur u bë kryeministre në dhjetor 2019, Marin ishte vetëm 34 vjeç, një nga krerët më të rinj të shteteve në botë. Ajo fitoi mes finlandezëve me vendosmëri dhe profesionalizëm që dukej se e zbehnin moshën e saj.
Gjatë mandatit të saj trevjeçar, ajo ka arritur të drejtojë Finlandën me aftësi duke përfshirë përgjigjen ndaj pandemisë së Covid-19 dhe goditjen e Moskës teksa Helsinki aplikoi për anëtarësim në NATO në përgjigje të pushtimit të Ukrainës nga presidenti rus Vladimir Putin.
Marin ka dëshmuar gjithashtu një aftësi në trajtimin e aspekteve më të zakonshme të drejtimit të vendit dhe në politikën e brendshme, nëse duhen besuar sondazhet e opinionit, me shifra që kanë qenë deri në 80%.
Ajo erdhi në detyrë duke thënë se qëllimi i saj ishte të ndihmonte në nxitjen e një kulture politike më egalitare dhe është bërë një objekt magjepsjeje në skenën ndërkombëtare — në të vërtetë, gazeta gjermane Bild e quajti atë ” politikanja më e lezetshme në botë ” .
Por pasioni me të cilin Marin ka ndjekur jetën e natës e futi atë në telashe vitin e kaluar, kur u shfaq një foto e saj duke kërcyer në një klub të mbushur me njerëz në mes të shpërthimit të infektimeve nga Covid, dhe mbi të gjitha pasi kishte pasur kontakt një ditë më parë me një ministër tjetër të kabinetit që kishte qenë i diagnostikuar me Covid.
“Kam bërë gabim. Duhet ta kisha shqyrtuar situatën më me kujdes,” tha ajo në një intervistë televizive pas incidentit.
Por menjëherë pasi mori postin e kryeministres, ajo u shfaq në një foto të shpërndarë në revistë, e veshur me një xhaketë sportive, por pa bluzë poshtë, duke skandalizuar kritikët brenda dhe jashtë vendit.
Gjithsesi, mbështetësit e Marin janë rreth saj.
Në përgjigje të kësaj polemike, gratë në të gjithë Finlandën — dhe në disa vende të tjera gjithashtu — postuan fotografi të tyre në internet me të njëjtë “zhveshje:, me hashtagun #imwithsanna.
Tani finlandezët janë në gjendje të shohin me sytë e tyre festën “e zhurmshme”.
Polemika ka bërë që disa kritikë të pyesin nëse kjo sjellje i përshtatej një kryeministreje.
Dhe si me polemikat e disa viteve më parë për përhapjen e fotografive të saj të papershtatshme, gratë kanë nxituar t’i tregojnë Marin mbështetjen e tyre në internet, duke postuar video të tyre duke kërcyer, disa me hashtag #solidaritywithsanna dhe #istandwithsanna.
Ndërsa jo të gjithë ne po postojmë video kërcimi, “stand with Sanna” duket se është këndvështrimi i konsensusit midis finlandezëve.
Shumica prej nesh nuk shqetësohen, shumë prej nesh edhe argëtohen nga zhurma.
Me pak fjalë, shumë finlandezë – të paktën deri më tani – e kanë mbështetur atë.
Fillimisht, shumë njerëz menduan se koha e saj si kryeministre do të ishte e shkurtër.
Ata besonin, disi në mënyrë shpërfillëse, se e reja nuk do të ishte në gjendje të qendronte gjate në botën e ashpër dhe të rrëmujshme të politikës, e cila historikisht ishte dominuar nga burrat me thinja. Ajo u ka treguar kritikëve se kanë gabuar.
Po, ajo është e re, krahasuar me burrat që kanë mbajtur postin para saj.
Por ajo është gjithashtu kompetente dhe me mendime serioze (përveç ndoshta në ahengje private me videokamera që regjistrojnë.)
Në fakt, në vend se ta dënojnë kërcimin e saj, disa njerëz e shohin atë si një model për ekuilibrin punë/jetë .
Ajo na ka treguar se politikanët mund të shijojnë kënaqësitë e zakonshme të jetës.
Ata mund t’i lëshojnë pak flokët. Dhe nëse ata mund ta bëjnë atë, ne të tjerët mundemi gjithashtu.
Por nëse njerëzit në Finlandë e shohin kërcimin e saj si sjellje të padëmshme dhe të përshtatshme për moshën, kjo nuk do të thotë se ne e gjejmë atë plotësisht të pafajshme në problemet e saj të fundit.
Pyetjet e ngritura në lidhje me gatishmërinë e saj për një emergjencë të mundshme pune janë legjitime. Krizat nuk mund të planifikohen: A ishte vërtet gjithmonë në gjendje të përballej me një emergjencë, nëse një e tillë kishte lindur gjatë festës së saj?
Një gjë tjetër që duhet theksuar është se pamjet ku duket Marin nuk janë bërë në mënyrë të fshehtë.
Ajo ka pozuar për ata qe e kane fotografuar, ndërsa më vonë ka thënë se videoja është menduar vetëm për përdorim privat.
Ajo u kishte besuar miqve të saj që të mos i shpërndanin ato në një audiencë më të gjerë.
Këtu gjej personalisht arsyen më të madhe për ta fajësuar: ajo shkallë naiviteti është shqetësuese për çdo politikan.
Nëse, si zyrtar qeveritar, kërcen në mënyrë provokuese para një kamera dhe nëse ato imazhe shpërndahen në një llogari në internet, duhet të mendoni se pamjet janë bërë publike.
Edhe pse ajo vazhdon të ketë mbështetjen e opinionit publik, është e vështirë të thuhet se cili do të jetë ndikimi afatgjatë në karrierën e Marin.
Përkthyer nga Panorama-CNN