Ukraina pretendon se ka thyer vijën e parë të mbrojtjes ruse në qytetin Kherson, ndërkohë që ka nisur një kundër-ofensivë madhore.
Ekspertët thonë se kjo kundër-ofensivë vjen për shkak se Kievi është furnizuar me armë moderne nga Perëndimi.
Ndërkohë Daily Mail shkruan se një politikan ‘tradhtar’ ukrainas, që ndërroi krah duke mbështetur Vladimir Putinin, u qëllua për vdekje në shtëpinë e tij.
Oleksiy Kovalyov, 33 vjeç, u vra me një shotgun, ndërsa e shoqja e tij u qëllua me thikë në fyt dhe humbi jetën më vonë në spital.
Kovalyov ishte një zyrtar i lartë në administratën e caktuar nga Rusia në rajonin e Khersonit.
Rusia thotë se do të hetojë këtë sulm, i fundmi në një seri vrasjesh ndaj zyrtarëve të caktuar nga Rusia në rajonet e pushtuara në Ukrainë.
Mediat lokale besojnë se çifti u vra nga një skuadër vrasësish.
Më herët kishte dështuar një atentat për vrasjen e zyrtarit ‘tradhtar’. Ky i fundit kishte reaguar duke u thënë ukrainasve: “Nuk do më ndalni dot”.
Të paktën pesë vrasje të tjera të ngjashme janë raportuar së fundmi në Kherson, ku Ukraina ka nisur kundër-ofensivën.
Kherson është një nga qytetet më të mëdha nën kontrollin e rusëve. Ky qytet ra në duart e Moskës që në ditët e para të pushtimit.