Sistemi arsimor mund të ketë, dhe ka realisht shumë probleme. Por, Ilir Meta i PL-së nuk është njeriu që i zgjidh ato probleme.
Meta nuk ka moral të flasë për arsimin, për braktisjen e shkollave kur ai nuk i ka prekur nga afër këto fenomene.
Ai nuk është shqetësuar kurrë se me çfarë parash do t’i dërgojë fëmijët në shkollë, me çfarë parash do t’ua blejë librat, me çfarë parash do t’ua blejë rrobat apo si mund të mësojnë fëmijët e tij në librat e shkarravitur, të dhënë falas.
Kjo, sepse fëmijët e tij kanë studiuar në Londër, se babain e kanë pasur President, kryetar Kuvendi, Ministër dhe çdo lloj pozicioni tjetër të mundshëm në shtet, i paguar nga taksat e shqiptarëve.
Nëse shohim deklarimet ndër vite të pasurisë së Ilir Metës dhe të bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi, e sidomos ato të vitit 2017, rezulton se ata kanë shpenzuar 140 mijë paund ose 160 mijë euro për të shkolluar fëmijët në Londër.
Ndërkohë që Kryemadhi del dhe përlotet nëpër studio televizionesh dhe Ilir Meta herë lëshon deputetët dhe herë del vetë, duke u ankuar për sistemin arsimor, një sistem të cilin e ka injoruar, me dërgimin e fëmijëve të tij në Londër për shkollim.
Në ditën e parë të shkollës, pavarësisht fakteve të përmendura më lart, Meta del dhe ironizon Kongresin për arsimin dhe “vajton” analfabetizmin.
Me deklarata të një kënge të kohës së komunizmit, kohë për të cilën është thënë se ka qenë ish-agjent i sigurimit, Meta akuzon Ramën duke e quajtur kryeministrin e krimit që s’mund të jetë i arsimit.
Nuk mbaron me kaq, por gjuha shkon aty ku i dhemb më shumë, tek inceneratorët.
Me ndërrimin e emrit të partisë nga LSI në PL, Meta nuk ka mundur të ndërrojë bëmat apo korrupsionin dhe vjedhjen që dyshohet se janë kryer nën logon e LSI-së.
Sikur të mos mjaftonte kjo, kreu i PL-së përdor edhe fëmijë që arsimohen në këtë vend, i cili Metës nuk i ka pëlqyer për fëmijët e tij, edhe pse ai ka mbi 30 vjet që ka udhëhequr në poste të ndryshme shtetërore.
Duke ua bërë kështu të pamundur edhe shkollimin e fëmijëve të tij në Shqipëri dhe jo më të fëmijëve të tjerë.
“Më lart më lart o shokë flamujt e kongresit”, nuk mbulohet dot dështimi dhe nënvleftësimi i plotë i arsimit.
Shqipëria ka buxhetin më të ulët në rajon për arsimin. Vazhdojnë turnet, vazhdon analfabetizmi funksional, vazhdon braktisja e shkollës.
Arritja më e fundit është edhe shantazhi e kërcënimi ndaj fëmijëve dhe prindërve të tyre për librat e shkollës.
Kryeministri i krimit s’mund të jetë i arsimit.
Që të mos vidhen më lekët si te inceneratorët, por të shkojnë për arsim cilësor dhe që t’i krijojnë mundësinë fëmijëve të jetojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu, nesër të gjithë tek inceneratori i Tiranës, ora 18:00.
Pavarësisht këtij fjalimi të bezdisshëm dhe propogandistik të Kryeministrit, i uroj suksese mikeshës sime të vogël Aria dhe gjithë nxënësve të Shqipërisë, veçanërisht të gjithë atyre që sot ulen për herë të parë në bankat e shkollës”, shkruan Meta në rrjete në sociale. (CNA.al)