Buka, frutat dhe energjia elektrike shënojnë rritje të çmimeve gjatë muajit qershor në Kosovë.
Sipas Agjencia e Statistikave dallimi vjetor i inflacionit është 2.4 për qind, ndërsa i pandryshuar ka qenë ndërmjet muajve maj dhe qershor të vitit aktual.
Në Kosovë së fundmi është duke u vërejtur rritje e çmimeve të produkteve të konsumit.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit tregon për rritje të çmimeve për 2.4 për qind në muajin qershor, krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.
Ndërkaq, inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit, sipas ASK-së ishte i pandryshuar në muajin qershor 2021, krahasuar me muajin maj 2021.
Ngritje më e madhe në çmime është vërejtur te vajrat dhe yndyrat ushqimore.
“Ngritje e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (0.6%); mish (0.2%); vajra dhe yndyra ushqimore (1.2%); pemë (3.6%); energjia elektrike (12.1%); në periudhën janar – maj 2021 ishte për 0,0061 cent më e lirë sipas Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike Covid -19, Nr. 07/L-016, neni 15, për periudhën janar – maj 2021, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.5 për qind në IHÇK”.
Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin qershor 2021 me muajin qershor 2020 ishte 2.4%.
Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 2.4 për qind në muajin qershor 2021, krahasuar me muajin qershor 2020. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (1.8%); vajra dhe yndyrat ushqimore (27.6%); duhan (4.3%); gaz (5.7%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (1.5%); pajisje shtëpiake (1.9%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (24.0%); shërbime telefonike dhe të telefaksit (20.3%); pajisje audio-vizuele, fotografike për përpunimin e informative (2.7%); pushime të organizuara turistike (3.7%); kujdes personal (1.5%); shërbime financiare (4.2%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2.7 për qind në IHÇK. Ndërsa rënie e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: pemë (-13.2%); pajisje telefonike dhe të telefaksit (-8.0%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.3 për qind) në IHÇK.
Rënie e çmimeve vërehet te nëngrupet: qumësht, djathë dhe vezë (-1.5%); perime (-9.2%); pije alkoolike (-2.0%); me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.5 për qind) në IHÇK.