Harry Bajraktari dhe familja e tij i dhurojnë 75,000 dollarë organizatës “Gift of Life International” për një mision që do të shpëtojë jetën e 25 fëmijëve të Kosovës, që kanë lindur me defekt në zemër
Fundi i vitit është shpesh një moment reflektimi. Na vijnë në mend arritjet, sfidat, humbjet, mirësitë, të gjithë ato gjëra që na bëjnë njerëzorë. Është gjithashtu kohë dhuratash e bujarie.
Shembullin më të mirë edhe këtë fund viti na e dha Harry Bajraktari që me bujari u bëri një dhuratë të çmuar shumë familjeve në Kosovë fëmijët e të cilëve kanë lindur me defekte në zemër por nuk kanë mundësi të kenë në vendin e tyre operacionin kirurgjik që do t;u shpetonte jetën.
Fondet që dhuroi ai dhe familja e tij do të shpëtojnë jo një apo dy, por të paktën 25 fëmijë të Kosovës.
Kjo dhuratë për organizatën “Gift of Life International” (Dhurata e Jetës – Ndërkombëtare) do të financojë udhëtimin e një ekipi të plotë mjekësor që do të shkojë në Kosovë për të operuar njëzetepesë fëmijë të cilët pa këtë ndihmë besohet se do të vdesin në moshë fare të re nga defekte të shërueshme zemre.
Sipas statistikave, rreth 400 fëmijë lindin çdo vit në Kosovë me defekte në zemër. Për shkak të mungesës së kushteve mjekësore e ekonomike, në Kosovë ende nuk mund të kryen operacione, shpesh rutinë, shpëtimtare për jetën e tyre. Këtu hyn roli i organizatës “Gift of Life” (Dhurata e Jetës – filiali ndërkombëtar) për të cilën kam nderin që të punoj prej shumë vitesh, e cila siguron ndihmën e nevojshme për të shpëtuar jetën e fëmijëve në mbarë botën, përfshi edhe në Kosovë.
Në 28 dhjetor, Harry dhe Lisa Bajraktari ftuan udhëqësit e organizatës “Gift of Life International”, në shtëpinë e tyre në Neë York. Në prani të familjes së tij të gjerë, ai njoftoi dhuratën bujare prej 75,000 dollarësh për të ndihmuar punën e organizatës në Kosovë.