Kur u përurua, midis Fifth Avenue dhe 88th Street, në Upper East Side, më 21 tetor 1959, ishte një revolucion
Ashtu si gjithë historitë e mëdha, edhe kjo nisi si një “liaison amoureuse” sigurisht jokonvencionale në ato kohëra, jo nga një çift, por një “trekëndësh”. Në vigjilje të Luftës së Dytë Botërore, kuratorja brilante e artit, baronesha gjermane, Hilla von Rebay, u përfshi në një marrëdhënie të çuditshme me dy burra.
Njëri ishte artisti i talentuar gjerman Rudolf Bauer, pionier i Radical Non-Objective Painting Movement. Tjetri ishte koleksionisti milioner i artit amerikan, Solomon R. Guggenheim. Baronesha Hilla Rebay von Ehrenwiesen, artiste, kuratore gjermane, emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1927 me synimin për të krijuar një galeri arti; një vit më vonë njohu filantropin e madh, i cili kishte hyrë në galerinë e saj, kureshtar për të parë veprat Bauer. Nisi kështu kjo miqësi (e shumëpërfolur) mes të treve, ku thuhet se dy burrat ishin të mahnitur nga karizma dhe ekletizmi i Rebay, deri në atë pikë sa ishin të dashuruar me të.
Disa vite më vonë u themelua Fondacioni Solomon R. Guggenheim, dhe baronesha Hilla Rebay ishte kuratorja e tij. Në vitin 1939 ata hapën edhe një hapësirë ekspozuese, të cilën e quajtën Museum of Non-Objective Painting, në një ndërtesë në Midtown Manhattan. Ndërkohë që koleksioni rritej dhe pasurohej, kuratorja dhe miku artist, nxitën koleksionistin e pasur të krijonte një muze të ri, një hapësirë ndryshe kushtuar artit modern. “Do të jetë një tempull për shpirtin, një monument” – ëndërronte Rebay. Për të ndërtuar muzeun e tyre, ata thirrën arkitektin amerikan më të madh të shekullit – Frank Lloyd Wright.
Bashkëpunimi mes Solomon R. Guggenheim, kuratores Hilla Rebay dhe arkitektit Wright ishte me fat. Ata realizuan vizionin e tyre – ndërtuan një ndërtesë muzeore jashtë skemave të zakonshme, ku artistët të kishin liri të plotë dhe ku çdo mjedis të dialogonte me artin, protagonistin e vërtetë të veprës.
Që kur Guggenheim dhe Rebay i kërkuan Wright të projektonte muzeun, u deshën 16 vite për ta realizuar. Kur u përurua, midis Fifth Avenue dhe 88th Street, në Upper East Side, më 21 tetor në vitin 1959, ishte një revolucion i vërtetë.
Për projektin e tij të fundit të madh, vepra-testament e tij, Wright krijoi një dizajn inovativ në formë spirale, me një strukturë të bardhë, me kate të hapura, një shkallë (e cila do të përshkohej nga lart-poshtë sipas idesë së arkitektit), e cila do të përshkonte 6 katet e ndërtesës. Në vizionin e arkitektit, veprat do të mund të admiroheshin duke përshkuar këtë spirale të gjatë, të shoqëruar nga sekuenca e dhomave të ekspozitës, të cilat shkonin rreth atriumit duke u ngjitur në dritën e madhe të çatisë.
Por fryma avangardë nuk u mirëprit nga elita konservatore amerikane, e cila e kritikoi Wright dhe muzeun e tij të çuditshëm, pasi ai iu largua shumë nga horizonti i Manhatanit dhe tempujve të tjerë të kulturës, si MET (Metropolitan Museum of Art), duke prishur ekuilibrat estetikë të zonës.
Për çudi, edhe shumë artistë nuk e pëlqyen hapësirën e re, pasi veprat, të ekspozuara për gjatë mureve të spirales dhe në dhomat ngjitur, nuk merrnin vëmendjen e duhur. Njujorkezët, në mes të dashurisë dhe urrejtjes, e quajtën atë “lavatriçe”, për shkak të formës së saj si kurbë, por tashmë e kishin zgjedhur atë si një ikonë. Dhe pavarësisht kritikave, muzeu u shndërrua menjëherë në qendrën e artit, një vitrinë e rëndësishme ku artistët e njohur të skenës prisnin me padurim të shfaqnin vera e tyre – nga Pablo Picasso te Paul Klee dhe Wassily Kandinsky.
Ndërkohë Solomon R. Guggenheim vdiq dhe gruaja dhe trashëgimtarët morën situatën. Ata nuk e shihni me sy të mirë marrëdhënien e filantropit me baroneshën. Karakteri i çuditshëm, i fortë dhe i pavarur i baroneshës nuk i pëlqente familjes Guggenheim. Në vitin 1952, ajo dha dorëheqjen si drejtuese e Fondacionit dhe kuratore e Muzeut, duke u distancuar përgjithnjë nga koleksioni i mrekullueshëm i artit për të cilin kishte dhënë ndihmën e saj në krijimin e tij. E pavarësisht rolit të saj si protagoniste në lindjen e kësaj ndërtese simbol, në ditën e përurimit Rebay as nuk u ftua.
Dashuria dhe pasioni lindin projekte të mëdha dhe nëse pastaj janë njerëz që bëjnë ato që thonë është e mrekullueshme dhe rezultatet janë mbresëlënëse.