Turqia të mërkurën hodhi poshtë akuzat nga Shtetet e Bashkuara se Presidenti i vendit, Rexhep Tajip Erdogan bëri vërejtje “antisemitike” në kritikat e tij ndaj sulmeve izraelite në Gaza, tha zëdhënësi i partisë së tij.
“Akuzimi i presidentit tonë për antisemitizëm është një qasje e palogjikshme dhe e pavërtetë. Kjo është një gënjeshtër e thënë për presidentin tonë,“- komentoi Omer Çelik në një seri cicërimesh.
Sipas mediave të huaja, Departamenti i Shtetit i SHBA të Martën kritikoi ashpër Erdoganin për ato që ai i quajti vërejtje “antisemitike”.
“Shtetet e Bashkuara dënojnë me forcë komentet e fundit antisemitike të Presidentit Erdogan në lidhje me popullin Hebre dhe i konsiderojnë ata të dënueshëm,”– tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price në një deklaratë.
“Ne e nxisim Presidentin Erdogan dhe udhëheqësit e tjerë turq të përmbahen nga vërejtjet ndezëse, të cilat mund të nxisin dhunë të mëtejshme,” tha ai.
Erdogan, një kampion i zëshëm i çështjes Palestineze gjatë sundimit të tij 18-vjeçar, ka hedhur akuza ndaj Izraelit që nga fillimi i dhunës në Gaza. Erdogan gjithashtu kritikoi Presidentin e SHBA-së, Joe Biden për mbështetjen e tij diplomatike për Izraelin, duke thënë se udhëheqësi i ka ”duart me gjak”.