Me 60 vota pro dhe 59 kundër, parlamenti izraelit ka miratuar qeverinë e re mbrëmjen e sotme, duke i dhënë fund qeverisjes 12 vjeçare të Kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Sipas mediave Naftali Bennett do të drejtojë kabinetin e ri, të përbërë nga parti të majta dhe të djatha. Bennett do të mbajë postin e kryeministrit pak më shumë se dy vjet dhe do të pasohet nga aleati i tij kryesor Yair Lapid.
Më herët, parlamenti prej 120 anëtarësh zgjodhi edhe kryetarin e tij të ri me 67 vota pro. Mickey Levy i partisë centriste Yesh Atid do të drejtojë parlamentin e ri. Zgjedhja e tij krijoi edhe bazat për miratimin e qeverisë së re të koalicionit.
Në fjalën e tij, Bennett gjithashtu deklaroi se nëse Hamas sulmonte Izraelin, ai do të merrte një përgjigje të fortë. Ai gjithashtu vlerësoi se një kthim në marrëveshjen bërthamore të Iranit do të ishte një gabim. Ai deklaroi se Izraeli nuk do ta lejonte Iranin të merrte armë bërthamore
Sipas Naftali Bennett, qeveria e re do të hapë një kapitull të ri mes shtetit dhe qytetarëve arabë të Izraelit, ndërsa falenderoi edhe Netanyahun për rolin që luajti në këtë process për zgjedhjen e qeverisë së re.